Lidhur me rastin e vrasjes së Progës dhe akuzat për fshehjen e ngjarjes, Kryepolici Muhamet Rrumbullaku mbrojti sot Policinë. Ai tha se nuk ka asnjë të dhënë, që policia lokale të ketë neglizhuar, kurse sulmet janë dashakeqe dhe të qellimshme.
Tirane- Agresion të neveritshëm i konsideroi kryeministri Edi Rama akuzat në drejtim të policisë së shtetit dhe Urgjencës kombëtare se nuk kanë reaguar në kohë dhe se policia ka tentuar të fshehë ngjarjen në vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga në Pogradec. Sipas kreut të Qeverisë hetimet konkluduan se autoritetet kanë vepruar konform ligjit dhe rregullave.
Indinjatën dhe skandalizimin e publikut për ndryshimin e pakuptueshëm të akuzës nga prokuroria që lehtësoi pozitat e autorit, Rama e quan të mirëkuptueshme në reagimin e tij në X, por se nuk do të komentojë qëndrimin e organeve të drejtësisë.
Njësoj si Drejtori i Policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku, edhe kryeministri Rama foli për keqinformim të qëllimshëm.
Sot Policia e Shtetit dhe Urgjenca Kombëtare dhanë publikisht provat që hedhin poshtë agresionin e neveritshëm ndaj tyre lidhur me ngjarjen tragjike të Pogradecit, ku policia u akuzua pa asnjë bazë sikur tentoi të fshihte ngjarjen, ndërsa urgjenca sikur u vonua tejmase në dhënien e ndihmës për viktimën.
Në fakt të gjitha provat tregojnë e dokumentuara, qoftë të operacionit policor e qoftë të sistemit elektronik të Urgjencës Kombëtare tregojnë, se Policia e arrestoi në kohë rekord autorin për “Vrasje me dashje” dhe Urgjenca iu përgjigj në 7 minuta thirrjes për ndihmë!
“Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral.
Ky është edhe konkluzioni i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e cila është angazhuar nga Ministria e Brendshme, menjëherë pas daljes së pretendimeve apo fabrikimeve mbi rrjedhën e ngjarjes, duke kryer kontrollin e të gjitha hapave të operacionit për kapjen e autorit të vrasjes.
Duke mos komentuar qëndrimin e organeve të drejtësisë, por duke mirëkuptuar plotësisht indinjatën e kujtdo që ndjehet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga Prokuroria, bashkohem me thirrjen e Policisë së Shtetit për të gjitha burimet e përgjegjshme të informimit, që t’i referohen dokumentave të operacionit të policisë si edhe të shërbimit të urgjencës, për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut, duke luajtur me një vdekje tragjike për lloj-lloj motivesh të dobëta politike, mediatike apo edhe thjesht jonjerëzore’ shkruan Rama në X.
Prokurorja e çështjes, Vasjana Postol zbuti akuzën për 29-vjeçarin Denis Meçe. Policia e kishte referuar ngjarjen si vrasje me dashje, akuzë që dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg. Por, rrahja brutale për vdekje që Denis Meçe i ka bërë Egli Progës, për prokuroren e çështjes Vasjana Postol është cilësuar si vrasje nga pakujdesia. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet. Autori është nipi i Valter Gora, ish-drejtor i Postës Shqiptare.