Deklaratat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ishin skandaloze në drejtim të gazetarëve kur u thotë se për informacion të saktë, duhet t’i drejtohen zyres së medias në Policinë e Shtetit.
Do kujtoj 2 momente, të cilat janë flagrante dhe kanë rritur tejskajshmërist mosbesimin tek Policia e Shtetit.
1. Vrasja e Klodian Rashës.
E dini cili ishte njoftimi i Policisë së Shtetit, së cilit z. Rrumbullaku kërkon t’i referohemi e besojmë?
“u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit që dyshohet se i përkiste shtetasit K.R, i cili nuk iu bind urdhërit të Punonjësit të Policisë për të ndaluar. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale armë e zjarrit pistoletë me një krehër me fishekë”, -thuhej në njoftim.
Nëse gazetarët do i kishin besuar këtij versioni të shpërndarë nga Policia e Shtetit, apo qytetarët s’do kishin protestuar, Klodian Rasha do mbahej mend si kriminel.
Kush e manipuloi vendngjarjen? Pasi u vërtetua nga Prokuroria se pistoleta e gjetur në vendngjarje nuk kishte lidhje me Klodian Rashën.
2. Ngjarja e disa ditëvë para zgjedhjeve të 2021-it në Elbasan.
Doli Drejtori i Policisë së Shtetit aso kohe Ardi Veliu së bashku me Prokurorin e çështjes Alfred Shehu, e thanë përpara opinionit publik se në makinën e Mehmet Grecës nuk u gjet asnjë material zgjedhor.
“Nga këqyrja e automjetit tip ML Benz pa targa, i gjetur në vendngjarje, grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës,” deklaroi Veliu.
Por Prokuroria më vonë vërtetoi se në makinën pa targa të Grecës u gjetën fotokopje kartash ID, bllok shënimesh ku shkruhej pagesa, dhe fletpalosje të PS.
Në këto dy raste Policia e Shtetit tentoi manipulimin e ngjarjes. Cilës Polici t’i besojmë ne z. Rrumbullaku?
Kjo është Policia që na jep deklaratat e së vërtetës?

