NISMA do kallëzojë në SPAK çdo prokuror dhe gjyqtar që bëhet palë me kriminelët!
Lexova se vrasësi i Egli Pogës po akuzohet për ‘vrasje nga pakujdesia’.
Vrasje nga pakujdesia, është kur vrasja ka ndodhur nga ndonjë aksident.
Psh personi A është neglizhent, ose ka vetëbesim të tepruar dhe shkakton një aksident, nga i cili vdes personi B.
Prandaj edhe ndëshkimi për këtë vepër është me gjobë, sepse personi as që ka dashur t’i shkaktojë dëm dikujt tjetër.
Por kur dikush të rreh deri në vdekje kjo nuk mund të jetë kurrë ‘vrasje nga pakujdesia’.
Kjo është qartazi vrasje me dashje indirekte.
Mund të ishte edhe Neni 88 ‘plagosje e rëndë me dashje’, me pasojë vdekjen, e cila dënohet 5 deri në 15 vjet.
Por kur vrasja ka ardhur si mënyrë për t’i marrë pasurinë, në formë gjobe, atëherë është qartazi “shtrëngim me anë të dhunës për të marrë pasurinë”.
Kjo vepër, parashikohet nga Neni 109/b i Kodit Penal, dhe dënimi është eksplicit: ‘burgim i përjetshëm’
Të dënosh me gjobë një kriminel që duhet të dënohej me burgim të përjetshëm, nuk ka si të jetë tjetër veçse shkelje e ligjit.
Unë nuk e di se kush është krimineli në fjalë, dhe as nuk më intereson se sa të forta i ka lidhjet me Ramën.
Ajo që di është se Prokurori i Pogradecit, i cili ka përgatitur dosjen, dhe Gjykatësi që po gjykon çështjen, nuk kanë fuqi ta shkruajnë ligjin, ata vetëm e interpretojnë atë.
Prandaj do bënin mirë ta lexonin ligjin ashtu siç është shkruar, e zeza mbi të bardhë, dhe të vendosin drejtësi.
Për rikujtesë, neni 319 i Kodit Penal i bën prokurorët dhe gjyqtarët subjekte të SPAK-ut.
Dhe nëse familjarët nuk e bëjnë, do jetë Nisma Thurje që do të kallëzojë në SPAK këdo që shkel ligjin duke mbrojtur kriminelët.
Çdo prokuror apo gjyqtar që bëhet palë me krimin, nuk e ka vendin në gjykatë, por aty ku duhet të ishin kriminelët.