Mësimet e një ngjarje të trishtë.
Nxitimi për tu marrë me kronikën e zezë nuk kanë qenë ndonjëherë diçka që kam përqafuar në të shkuarën. Mendoj se publikut i gjerë duhet informuar, por për hir të informimit, kronika e zezë nuk mund të zinte faqet e para të medias ose të ishte e tjerrur kaq hollë, plot detaje. Si psikiatër, mendoj se kjo nuk është as e shëndetshme dhe mbase as etike.
Një ngjarje e menaxhuar keq që në fillim u shndërrua nga ata që e kishin për detyrë që ta zbardhnin, në një çështje të tejdiskutuar mbi sigurinë, institucionet dhe vlerat njerëzore.
Para një dite, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkojë që të bëhej një hetim mbi strukturat e policisë së Komisariatit të Pogradecit mbi mënyrën sesi u procedua për rastin e vdekjes së qytetarit E.P. Është e qartë për të gjithë se policia ka reaguar në mënyrë joprofesionale, duke vonuar dhe krijuar konfuzion në hetimin e rastit, e në komunikimin publik. Përgjegjësia e zinxhirit komandues dhe e atyre të përfshirë me rastin është e qartë dhe kjo dëshmohet edhe nga familjarët e viktimës. Policia e shtetit reagoi të nesërmen, në një rastësi të çuditshme, duke arrestuar një shumë të kërkuar, i cili endej i lirë prej disa viteve dhe jo në pak raste intimidonte pjesëtarë të opozitës. Kjo dukej si përpjekie kompensuese. Serverat e DVR-ve që dyshohet se janë të fshira (janë duke u ekspertuar) mund të përbëjnë një përpjekie për fshehjen e së vërtetës. Largimi i drejtuesve dhe personave përgjegjës do të jepte një mesazh se institucioni e ndëshkon mos hetimin e krimit, sido që të jetë ai. Ky do të ishte mësimi i parë nga ky rast fatkeq.
Shumë qytetarë janë të irrituar me institucionet, me mënyrën e reagimit, me heshtjen apo tjetërsimin (qoftë edhe për pak kohë) të asaj që ka ndodhur. Frika për të vërtetën, ishte dëshmi e vlerave të rrudhura të qytetarisë, të cilat janë mpakur e intimiduar edhe nga pushteti që të shtyp e nuk të mbron. Institucionet serioze dhe reaguese na nevojiten të gjithëve dhe ky ishte mësimi i dytë. Ndërtimi thellësisht politik i institucioneve, sidomos i atyre që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit, ka bërë që ato të kenë probleme të theksuara me profesionalizmin dhe të udhëhiqen nga axhenda politike.
Vlerat qytetare duhen promovuar sepse janë ato që janë thelbësore në edukimin e brezave, për bashkëjetesën dhe në fund për të minimizuar dukuritë e pakëndshme. Këtu besoj se ka vend për kontributin e secilit nga ne, çdo ditë dhe pa u ndalur. Ky do të ishte mësimi i tretë dhe më i rëndësishmi.
Unë hyj te ata që nuk besojnë më te ndryshimi vetvetiu i institucioneve, pa një zgjedhje të re politike, pa ndryshime në drejtimin e vendit, e cila nuk mund të bëhet pa një marrëdhënie të re besimi me publikun. Koha është që jo vetëm të nxjerrim mësime, por edhe të reagojmë, përndryshe ngjarje të tilla mund ti kemi një ditë në do e derës. Atëhere do të jetë vonë!
Gentian Çala