Nga: Redi Dandallaku
Pogradeci dhe Flamurtari ndahen në paqe/Liqenorët barazojnë 1-1 në miqësoren me bregdetarët
Ditën e shtunë, në orën 18:00 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” Pogradeci luajti ndeshjen e tretë miqësore, kësaj rradhe kundër Flamurtarit të Vlorës, sfidë e cila përfundoi në barazim me shifrat 1-1.
Kjo konsiderohej një përballje e rëndësishme për të dyja skuadrat pasi liqenorët kanë shpalosur objektivin superligë por edhe Flamurtari ndërkohë është shndërruar në një uragan në këtë merkato vere ku deri tani ka bërë 14 blerje ku bien në sy emra si Murataj, Trashi, Marku, Frashëri, Alla dhe Atanda.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë ku nuk munguan sulmet nga të dyja anët por ishin pogradecarët që shënuan të parët në minutën e 17-të ku pas ekzekutimit të një goditje këndore nga Pengu ishte Danlandi që tentoi të godasë me kokë drejt portës por atë top e kapi me shpinë dhe e devijoi për në rrjetë. Pas pësimit të golit erdhi edhe reagimi i vlonjatëve ku tentonin më së shumti kalimet dhe krosimet në krah me anën e Cobian, Allmuçës dhe Hoxhajt, por që pa rrezikuar shumë portën. Edhe liqenorët në të parën shfaqën momente të mira loje me protagonist të padiskutueshëm nigerianin Kazim i cili me driblimet e tij dhe hapjet në krah fitoi edhe ovacionet e publikut. Një tjetër lojtar nigerian i ardhur pak ditë më parë Ciprian, ishte rezultativ, sidomos në zotërimin e topit dhe në pasime. Vlen për t’u theksuar sërish niveli i lartë i treshes së mbrojtjes Hysenllari-Pere-Ivani, ku Pere është me të vërtetë një goditje e madhe në merkato pasi edhe në ndeshjen e djeshme i fliste skuadrës, mbyllte sulmet kundërshtare si dhe tregohej i rrezikshëm në zonë me kërkimin e goditjeve me kokë në momentet e goditjeve të dënimit.
E para u mbyll me avantazhin e liqenorëve 1-0.
Në të dytën trajneri Nikaj i zëvendësoi të gjithë lojtarët duke hedhur në fushë 11-shen e dytë. Në pjesën e dytë ritmi i lojës kishte ulje-ngritje nga pogradecarët dhe nga ana tjetër u shfaq një Flamurtar më kërkues, kjo edhe si shkak i zëvendësimeve të bëra nga trajneri italian Agostineli i cili i dha freski sulmit. Sulmuesi anësor Leshi i vlonjatëve ishte në një ditë fantastike ku bëri ç’të dojë në krahun e majtë të tij kundër mbrojtësave pogradecarë si dhe ishte ai asistuesi i golit të shënuar me kokë nga sulmuesi Oshafi. Pas barazimit loja e Pogradecit pësoi rënie të dukshme dhe sulmi nuk mundi të bëjë diferencë të madhe.
Në këtë pjesë të dytë u dallua mbrojtësi brazilian Vagner i ardhur nga Burreli si dhe portieri Beqiri i cili ishte vendimtar në tre raste. Ndërkohë zhgënjeu sulmuesi kroat Panadiç nga i cili pritet shumë. Po ashtu dhe pjesa tjetër e 11-shes së dytë ishte e paqartë në organizmin e lojës dhe disa gabime amatoreske në pasime.
Edhe pse një miqësore, ky barazim vlen pasi Flamurtari është skuadra me blerjet më të mira në merkato dhe kandidati kryesor për titullin kampion. Duhet theksuar se këto janë ndeshje miqësore ku skuadrat janë në një fazë kolaudimi dhe nuk shfaqen të gjitha potencialet, gjë që vlen për të gjitha skuadrat.
Gjithësesi pas ndeshjes së tretë miqësore ku Pogradeci një e ka humbur kundër Suharekës, tjetrën e fitoi kundër Besës dhe në të djeshmen barazoi me Flamurtarin, dalim në konkluzionin që kjo skuadër akoma nuk ka një ide loje të qartë apo nuk mundet që ta aplikojë lojën me topa të gjatë dhe ndërkohë sulmi vuan shumë dhe nuk ka cilësi e këtë e tregon mungesa e rasteve nga sulmuesit. Gjithashtu edhe mesfusha nuk furnizon sulmin ashtu si duhet. E vetmja pikë e fortë për momentin është mbrojtja, por vetëm kjo pikë duket se nuk mjafton dhe duket e vështirë për të përballuar gjithë sezonin dhe për të arritur objektivin superligë.
Mbetet për t’u parë se cilët lojtarë do të largojë Nikaj pas kësaj ndeshje dhe se ku do të ketë afrime të tjera pasi skuadra çalon së tepërmi në organizim në mesfushë dhe në sulm.
Formacioni: Baçi, Pere, Hysenllari, Ivani, Pengu, Danlandi, Kazim, Ciprian, Kastrati, Topllari, Beçka.
U aktivizuan: Beqiri, Kapllani, Vagner, Raza, Këndezi, Nallbati, Qeleshi, Demaj, Torollari, Shkulaku, Peqini, Panadiç.