Deputetja demokrate Ina Zhupa zhvilloi interpelancë me Blendi Gonxhen, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për një sërë çështjesh duke filluar nga Parku Kombëtar i Butrintit.
Zhupa pyeti Gonxhen se pse nuk janë zbatuar rekomandimet që UNESCO ka dhënë për zonat e mbrojtura në Shqipëri.
“Pse qeveria injoron rekomandimet nga UNESCO? Çfarë leverdie ka shteti nga kjo? Butrinti e Ohri rrezikojnë të hiqen nga UNESCO për shkak të koncesioneve të dhëna. Pse nuk shfrytëzoni kapacitetet intelektuale e akademike por merrni të huaj e koncesionarë e njerëz pa eksperiencë? Zoti Gonxhe a e quani ju zbatim të rekomandimeve lejet për ndërtime që po bëhen në Butrint? UNESCO pagoi 30 mijë dollarë për Beratin e Gjirokastrën por ju nuk bëtë investimet dhe u thatë u ndërruar ministria. Kjo nuk është qasja që duhet të ketë qeveria dhe shteti shqiptar aq më pak kur bëhet fjalë për pasuri botërore? Pse nuk i paraqisni UNESCO çfarë parashikoni për ndërtimet në Butrint?”, tha Zhupa.
Mirëpo, Gonxhe nuk iu përgjigj dot pyestjes se pse rekomandimet e UNESCO-s nuk janë marrë ende në konsideratë.
“Përmendët dhe emra personash, por nuk më duket e udhës që të ndalemi këtu. Kam respekt për përkushtimin tuajin për temën por dhe ju si deputete. Ishte për t’u përshëndetur që vendimi në Komunitetin e Trashëgimisë kulturore ishte unanim. Nuk di të kem qenë me një person të tillë në funksion në takim në Paris. Di t’ju them se zoti Lorenc Bejko është përfaqësues i ICOMOS në Shqipëri dhe ndaj ishte në takimin në Unesco. Ju mendoni se kjo është ‘thembra e Akilit’ por që për ne është arritje, me mbivendosjen e disa hartave kemi marrë vendimet e duhura. Kemi marrë këshilla dhe kemi bërë punë të mirë. Nuk është e vërtetë që nuk kemi përfshirë trupa shqiptare, pasi kemi marrë dhe shumë studentë nga bankat e shkollës. Fondacioni nuk ka lidhje me asnjë program biznesi. (Për çështjen e parkut të Butrintit)”, tha Gonxhja.