Sipas të dhënave të siguruara nga Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Korçë, më 18 korrik u regjistrua një fluks i konsiderueshëm lëvizjesh në dy pikat kryesore kufitare të Qarkut Korçë, pra Kapshticë dhe Qafë Thanë.
Në pikën kufitare të Kapshticës, u regjistruan 2070 shtetas në hyrje dhe 2459 shtetas në dalje. Numri i lëvizjeve në këtë pikë ishte relativisht më i ulët krahasuar me pikën kufitare të Qafë Thanës, ku u regjistruan 5068 shtetas në hyrje dhe 4374 shtetas në dalje.
Pika kufitare e Qafë Thanës ka përjetuar një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve që kalojnë kufirin, kryesisht për shkak të pushuesve që vijnë dhe largohen nga Shqipëria. Kjo periudhë e vitit shënon kulmin e sezonit turistik, duke bërë që shumë qytetarë dhe turistë të zgjedhin këtë pikëkalim për të hyrë dhe dalë nga vendi. Shqiptarët e Maqedonisë janë ata që zgjedhin bregdetin dhe krijojnë më tepër fluks në këtë doganë.
Nga ana tjetër, numri më i ulët i lëvizjeve në Kapshticë mund të lidhet me numrin e ulët të Shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi, që duket se ende nuk i kanë marrë masivisht pushimet vjetore. Por fluksi pritet të jetë gjatë muajit Gusht.
Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Korçë ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një proces të shpejtë dhe efikas të kontrollit kufitar, për të përballuar fluksin e shtuar të pushuesve.

