8.1 C
Pogradec
7.4 C
Korçë
7 C
Bilisht
8.8 C
Ersekë
6 C
Maliq
8.3 C
Liqenas
Thursday, November 7, 2024

Alarmi i rënies së popullsisë, si pritet të ndikohet ekonomia

- Advertisement -

Burimi: Revista Monitor

Reduktimi i popullsisë me 420 mijë persona nga 2011 deri më 2023 dhe plakja e saj me 7 vjet gjatë kësaj periudhe do të vërë në vështirësi bizneset e arsimit, ato të tregtisë për disa artikuj, industrinë financiare dhe teknologjinë. Nga ana tjetër, bizneset e shërbimeve shëndetësore, farmaceutikës dhe shërbimet ndaj të moshuarve do të rriten. Rezultatet e reja të popullsisë do të diktojnë ndryshime rrënjësore në politika që nga reforma territoriale deri te shërbimet publike mbi arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën
 
Blerina Hoxha

Rezultatet e Censit treguan se grupmosha mbi 60 vjeç arriti në 667 mijë persona në tetor 2023, me rritje 49% nga 2011, në një kohë që popullsia e përgjithshme në të njëjtën periudhë ra me 13%.

Por ky është një lajm i mirë për kompanitë që importojnë ilaçe. Rezultatet e reja sinjalizojnë më shumë shitje, pasi barra e sëmundjeve dhe përdorimi i medikamenteve rriten me plakjen e popullsisë.

Të gjitha bizneset, që kanë në thelb ofrimin e shërbimeve shëndetësore, do të rishikojnë projeksionet me rritje të fitimeve. Gjithashtu me rritje pritet të jenë edhe të gjitha shërbimet dhe bizneset e lidhura me shërbimet ndaj moshës së tretë.

Dorian Sadiku, i cili drejton Shoqatën e Depove Farmaceutike, thotë se plakja e popullsisë rrit kërkesën për medikamente dhe ky është një fenomen global.

Në anën tjetër, Censi 2023 zbuloi se kishte 204 mijë të rinj 0-15 vjeç më pak se në vitin 2011 ose 35% rënie dhe ky është një lajm i keq për bizneset e prodhimit dhe tregtisë së brumërave, ëmbëlsirave, veshjeve etj. Të gjithë ata që kanë të lidhur biznesin me tregtinë e mallrave dhe shërbimeve për të rinjtë, që nga kancelaritë e deri te shkollat do të pësojnë rënie të ndjeshme gjatë dekadës në vijim.

Adi Haxhiymeri, i cili drejton Shoqatën e Përpunuesve të Miellit, pohoi se rënia e popullsisë ka qenë e dukshme në vitet e fundit. Largimi i të rinjve ka sjellë rënie të qëndrueshme të importeve të brumërave dhe sheqernave në dekadën e fundit.

Z. Haxhiymeri tha se rezultatet e reja të popullsisë janë një lajm i keq, por bizneset shqiptare janë bërë elastike ndaj krizave dhe operojnë me plane afatshkurtra.

Rezultatet e Censit 2023 treguan se popullsia e Shqipërisë në tetor 2023 ishte 2.4 milionë banorë, ose 420 mijë më pak se në Censin e vitit 2011, teksa mosha mesatare e popullsisë arriti në 42.5 vite, 7 vite më shumë se më 2011.

Këto rezultate do të çojnë në revizionime të forta të të gjithë treguesve ekonomikë, që nga rezultatet makroekonomike të tilla si punësimi, të ardhurat për frymë e deri te planet e biznesit që do të duhen të formatohen me popullsinë e re.

Pasojat
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, analizon se një popullsi më e pakët dhe më e plakur krijon kufizim të mundësive të rritjes në afatin e gjatë. Tregu i punës do të vuajë për punonjës, teksa kërkesa e brendshme do të ulet. Z. Xhepa thotë se do të rritet stresi mbi detyrimet afatgjata, siç janë fondet e pensionit dhe shëndetit.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, analizon se një popullsi më e pakët dhe më e plakur krijon kufizim të mundësive të rritjes në afatin e gjatë. Tregu i punës do të vuajë për punonjës, teksa kërkesa e brendshme do të ulet. Z. Xhepa thotë se do të rritet stresi mbi detyrimet afatgjata, siç janë fondet e pensionit dhe shëndetit.

Profesorët ekonomisë lajmërojnë ndryshime në modelet ekonomike nga zhvillimet demografike.

Eksperti Elvin Meka mendon se ndryshimi i strukturës së popullsisë në favor të plakjes në afat të gjatë do të ndryshojë trendet e konsumit, teksa financat publike do të jenë në presion të dyfishtë si në krahun e të ardhurave, edhe në atë të shpenzimeve. Gjithashtu produktiviteti në punë, me një popullsi të plakur, do të pësojë rënie thotë profesori.

Më herët këtë vit, në një intervistë të posaçme për “Monitor”, Menaxheri i Bankës Botërore në vendin tonë, Emanuel Salinas, tha se Shqipëria është e detyruar të investojë te të rinjtë.

“Kapitali njerëzor i Shqipërisë është zemra e trajektores së zhvillimit të vendit, aftësisë së tij për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimit të standardeve të të ardhurave dhe jetesës me mesataren e Bashkimit Europian.

Për ta thënë thjesht, Shqipëria nuk mund të bëhet një vend i fortë, i avancuar dhe me të ardhura më të larta pa angazhuar një kapital njerëzor po aq të fortë dhe produktiv”, – tha ai.

Mirëpo teksa popullsia e vendit po plaket dhe po tkurret me shpejtësi, kapitali njerëzor nuk po përfshihet në prioritetet e buxhetimit. Shqipëria ka financimet më të ulëta për arsimin dhe shëndetësinë, më pak se 3% të PBB-së në vit, nivelet më të ulëta në Europë, teksa hemorragjia e emigrimit të të rinjve vijon të jetë e fortë dhe lindjet po bien me shpejtësi.

Bizneset e lidhura me arsimin, në vështirësi

Kur nisi viti i ri shkollor 2024-2025, universitetet dhe shkollat private ishin të shqetësuara nga rënia e numrit të nxënësve.

Nga viti 2011 deri më 2023, sipas të dhënave nga censet, numri i të rinjve 0-15 vjecc është tkurrur me 35%. Arsimit parauniversitar i mungojnë rreth 204 mijë fëmijë. Për sistemin publik të arsimit, kjo rënie duhet të përkthehet në cilësi, është shprehur ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Për arsimin privat, rënia e numrit të fëmijëve do të thotë përkeqësim i biznesit në vijim.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT referojnë se vitin e kaluar, 19 sipërmarrje në fushën e arsimit u mbyllën. Numri i bizneseve në arsimin privat është rritur me shpejtësi, sidomos në dy dekadat e fundit, për shkak se Shqipëria doli me një popullsi të re në moshë nga komunizmi dhe zhvendosjet drejt zonave urbane sollën mbingarkesë në institucionet arsimore. Rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë do të sjellin ulje të mëtejshme edhe më të fortë gjatë dekadave në vijim.

Kjo rënie do të prekë edhe universitetet. Pritshmëritë tregojnë se numri total i studentëve që regjistrohen në vit të parë do të jetë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2032 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete, nga rreth 120 mijë që ishin në vitin akademik 2022-2023.

Të dhënat tregojnë se institucionet arsimore të arsimit të lartë do ta kenë të vështirë të mbijetojnë. Me ketë rënie, shumë sektorë do të vihen në vështirësi për ekspertë. Logjikisht rënia e nxënësve dhe studentëve duhet të sillte rritjen e cilësisë, po as kjo nuk ka ndodhur.

Shqipëria mori rezultate shumë të dobëta në testin global të 15-vjeçarevë “PISA 2022” në arsim, matematikë, shkencë dhe kreativitet.

Arsimi nuk po konsiderohet prioritet, pasi shkollat shqiptare përballen me logjistikë të dobët për të zhvilluar kurrikulën mësimore, nuk përdorin teknologjinë dhe niveli i mësuesve po shënon rënie drastike për shkak se degët e arsimit kanë përthithur gjimnazistët më të dobët në dy dekadat e fundit.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit