Duket se prej vitesh premtimi për të pasur një muze për 107 viktimat e masakrës së Borovës ende nuk është realizuar. Çdo vit, më 6 korrik, përkujtohet nga familjarë dhe të mbijetuar masakra e Borovës, kryer nga një ofensivë gjermane e cila po kalonte drejt Leskovikut.
Kreu i bashkisë së Kolonjës pranon faktin që premtimi nuk është mbajtur ende për një ambient të denjë për të përkujtuar viktimat, por nuk jep një afat se kur mund të fillojë ndërtimi i këtij muzeu. Sipas tij, nuk ka pasur mundësi financiare dhe është në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Mbrojtjes për gjetjen e fondit.
Jorgjia Simo Leka, e mbijetuara e masakrës së Borovës, tregon e emocionuar momentet e tmerrit që ka përjetuar ajo, teksa në sytë e saj kanë ekzekutuar prindërit, vëllezërit dhe motrat. Ajo thotë se nuk janë vlerësuar aspak nga ana e qeverisë.
Edhe kreu i Shoqatës LANÇ sqaron se kanë kërkuar disa herë ndërtimin e këtij muzeu të shkatërruar nga ngjarjet e ’97-ës.
Masakra e Borovës njihet si një nga masakrat më të mëdha ndaj civilëve, e cila përkujtohet çdo vit nga autoritetet, por këtë vit u vu re mungesa e tyre.

