Edhe pse ka nisur sezoni i ri i vjeljes së grurit, fermerët e fushës së Maliqit kanë ende stok prodhimin e një viti më parë.
Një kg grurë sot në treg shitet me 22 lekë për kg, një kosto e cila nuk përballon shpenzimet e mëdha të fermerëve, por nga ana tjetër nuk tërheq as tregtarët në zonën e tyre. Duket se gruri i importit nga vende si Ukraina apo Serbia bën që kompanitë e mëdha të mos kenë interes për grurin vendës.
Fermerët shprehen se ky është viti i dytë që po përballen me këtë situatë, ndërsa paralajmërojnë se nëse nuk merren masa për të rregulluar tregun nga ana e qeverisë, do të detyrohen të mos mbjellin më.
Fusha e Maliqit është një nga hambarët më të mëdhenj në vendin tonë sa i përket prodhimit të grurit. Me fillimin e luftës në Ukrainë, fermerët u orientuan të shtonin sipërfaqet e mbjella me grurë, por me ngerçin e gjetjes së tregut, fermerët i kanë ulur sërish sipërfaqet e tyre. Këtë vit në fushën e Maliqit janë mbjellë 500 hektarë më pak.
Nga Armand Braho