Është mbyllur këtë të mërkurë edicioni i 20-të i festivalit të monodramës Albamono, ku garuan 7 trupa teatrale nga vende të ndryshme të botës.
Edhe pse shfaqjet e tjera u luajtën në Korçë, ndarja e çmimeve u krye në qytetin e Maliqit, nga ku dhe ka nisur rrugëtimin ky festival.
Anëtari i jurisë, Profesor Ilir Shyta, tregon se festivali duhet mbështetur për të pasur një vazhdimësi, ndërsa hedh më shumë dritë mbi paraqitjen e shfaqjeve.
“Medea e Euripidit” ishte shfaqja përmbyllëse, ndërsa ky festival ia arriti qëllimit të mbyllet me sukses, kështu tha drejtori i festivalit, Festim Tomorri.
Trupa teatrale e Greqisë “Grand Prix” , merr çmimin e madh për interpretimin e tragjedisë “Medea”, e cila ishte shfaqja e fundit e Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “ALBAMONO”, në Qendrën Kulturore “Dhimitër Orgocka” në Maliq.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës “ALBAMONO” morën pjesë trupa aktorësh nga Italia, Turqia, Greqia, Bullgaria, Spanja, Polonia dhe Kazakistani. Festivali u organizua nga bashkia Maliq me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.