Fshati turistik i Linit, edhe pse ka marrë një vëmendje të shtuar nga vizitorët e huaj, përsëri vuan nga mungesa e investimeve në infrastrukturë. Prej vitesh, shihet mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza, të cilat në shumicën e rasteve derdhen në liqen, dhe në raste të tjera hidhen në gropat septike.
Gafur Avdullari, kryeplaku i fshatit Lin, thotë se situata është katastrofike.
“Turistët surprizohen nga mikpritja dhe vlerat e fshatit, por nga ana tjetër shprehen të pakënaqur për liqenin”, tha Avdullari.
Gjithashtu, ai shtoi se projekti për ujërat e zeza është shtyrë tre herë, teksa kanë marrë premtimin e radhës që punimet do të fillojnë në shtator.
“Turistët nuk e dinë që ujërat e zeza derdhen në liqen, ndërsa më herët edhe vetë vendasit laheshin pa problem,” thonë banorët.
Në fshatin turistik të Linit, subjektet e hotelerisë janë njoftuar që të kryejnë investimin në impiantin e përpunimit të ujërave të zeza brenda kësaj vere. Në gjithë rrethin e Pogradecit, 120 subjekte janë të detyruara të kryejnë këtë investim, i cili varion nga 15-50 mijë euro për subjekt, ndërsa shpenzimet mbulohen nga vetë privatët.
Ndërkaq, burime zyrtare nga Bashkia e Pogradecit bëjnë të ditur se investimi për kanalizimet e ujërave të zeza për abonentët familjarë pritet të kryhet këtë vjeshtë.