Burimi: Revista Monitor
Nëse udhëtoni të paktën 10 mijë euro (ose kundra vleftën e saj) duhet ti deklaroni në doganë, përndryshe rrezikoni që këto para t’ju sekuestrohen nga autoritetet doganore.
Ditën e diel datë 09 qershor 2024 është finalizuar operacioni i koduar “Next”, për goditjen e tentativës për të futur në Shqipëri një sasi prej 35 755 eurosh, pa deklaruar të cilat janë sekuestruar dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Autoritetet Doganore, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe shërbimet e Policisë Kufitare gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në autobus, gjetën 35 755 euro dhe 70 franga, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan në flagrancë 4 shtetas.
Duke marrë shkas nga rastet e fundit dhe në funksion të ndërgjegjësimit të udhëtarëve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se bazuar në ndryshimet e ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, i ndryshuar, të gjithë personat të cilët hyjnë në/ose largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të deklarojnë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 000 euro ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbajtjes së tyre, si dhe të paraqesë dokumente justifikuese përkatëse.
Procedurat e deklarimit kryhen pranë zyrave të Administratës Doganore, në Pikën e Kalimit Kufitar, hyrje apo dalje. Deklarimi kryhet nëpërmjet formularit për raportimin e transportit të vlerave në kufi (RTVK) i cili plotësohet online pranë zyrave doganore në Pikat e Kalimit Kufitar.
Duhet të mbahet parasysh se deklarimi i rremë apo i pasaktë apo mos deklarimi, bazuar në ligjin e mësipërm, neni 17/1, Administrata Doganore ka të drejtën e vendosjes së gjobës dhe se kur konstatohet mosdeklarimi ose deklarimi i rremë, paralelisht me vendosjen e gjobës nga Administrata Doganore, trajtimi i rastit bëhet sipas dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, njoftoi Dogana.