Në 3-mujorin e ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit korçar, Teodor Vaso, është organizuar një aktivitet me ndeshje triangolare në stadiumin “Skënderbeu” të qytetit të Korçës. Ekipi i Skënderbeut, Flamurtarit dhe Apolonisë janë bërë bashkë pasditen e së shtunës për të luajtur ndeshje futbolli në nder dhe respekt të Vasos. Futbollistë të rinj e deri tek ata më të vjetër, nga Vlora e Fieri, janë bashkuar në stadium për të rikujtuar të madhin Teodor Vaso. Vaso ishte një nga figurat më të njohura të futbollit korçar e atij shqiptar, si pjesë e Kombëtares, dhe si një nga lojtarët që ka treguar se ia del të shënojë gol edhe kundër ekipit gjerman.
Vasil Ruci konsiderohet si legjenda e futbollit vlonjat që shumë tifozë e sportdashës e njohin në të gjithë Shqipërinë. Ajo që duhet theksuar është se mjeshtri ka arritur t’i shënojë 2 gola ekipit të Barcelonës, ndërsa është bërë pjesë e ndeshjeve në nder të Vasos për hir të respektit që ka për të. Aktivitete të tilla do të sjellin edhe më shumë tifozë nëpër stadiume, madje Ruci thotë se në Vlorë i zhvillojnë shpeshherë të tilla organizime dhe për fat të mirë u realizua edhe në Korçë.
“Për këtë triangolare dhe në emër të tij, është kënaqësi që të marrim mundimin nga Vlora deri këtu, për hir të respektit që kemi karshi atij njeriu, jo vetëm thjesht si një futbollist, por një figurë familjare, civile, i socializuar me qytetin e Korçës.
Unë nuk e kam arritur dot por nëpërmjet miqve të mi të cilët kanë luajtur dhe kanë qenë kundërshtarë të tij, flasin për një njeri me norma dhe një njeri të cilin nuk ka fjalë që ta përshkruash nga mirësia.
Ne në Vlorë kemi kohë që i bëjmë këto aktivitete, shyqyr që i filloi dhe Korça dhe më pëlqen që bëj hapin e parë. Kështu duhet të veprojnë të gjitha qytetet. Arsyeja është e thjeshtë, duke kujtuar e duke sjellë figura historike në stadium, unë besoj se do ketë edhe më shumë tifozë për qytetin e tyre.”
Pandeli Tole, një tjetër figurë e njohur në sportin shqiptar dhe më konkretisht në atë fierak, tregon për CNA TV se për të është një nder që ndodhet pas shumë vitesh në stadiumin e Korçës. Jashtë fushës miqësia mes Toles dhe Vasos vijonte të mbahej, ndonëse në fushë ishin kundërshtarë. Edhe për Tolen, shoqatat e veteranëve të futbollit duhet të ngrihen në çdo rreth të vendit tonë, për të nderuar çdo futbollist që ka dhënë kontribut në çdo qytet.
“Është një nder të jem sot në këtë stadium, vij pas shumë kohësh në stadiumin e Skënderbeut. Por, është një nder dhe respekt për Teodor Vason që ka qenë një nga futbollistët më të mirë të Skënderbeut, dhe si njeri shumë i mirë. Teodorin nuk e kam njohur në fushë, por jashtë saj, pavarësisht se ishim kundërshtarë, kishim një miqësi shumë të mirë. Është gjë e bukur dhe duhet të bëhen të gjitha. Kemi marrë shkas edhe ne nga Flamurtari, se Flamurtari ishte iniciatori i parë që bëri këtë shoqatën, po ashtu edhe ne pas tyre. Shpresoj që të bëjnë të gjitha rrethet e Shqipërisë shoqatë të veteranëve të futbollit.
Pjesë e ekipit të Skënderbeut disa vite më parë ishte Amarildo Dimo, futbollisti fierak që gëzon respektin e të gjithë tifozëve korçarë. Ai rikthehet sërish pranë stadiumit “Skënderbeu”, me emocione shumë të mëdha, duke kujtuar kohë të arta që ka kaluar tek ekipi korçar me plot trofe të fituar. Dimo shprehet se kjo është një nismë shumë e mirë, në nder të Teodor Vasos, dhe po ashtu një nismë që duhet të vijojë për të gjitha figurat e futbollit shqiptar.
“Emocione shumë të mëdha, këtu kemi kaluar një periudhë shumë të bukur, ekip shumë i mirë, trofe. Sa herë vjen në Korçë është nostalgjia, njerëzit, publiku, çdo gjë është e mrekullueshme. Personalisht Teodor Vason nuk e kam njohur, por kam dëgjuar emrin e tij, kontributin që ka dhënë në futbollin korçar dhe mendoj se e meriton respektin e të gjithëve. Dhe ne këtu për këtë kemi ardhur, jemi nisur që në mëngjes për të respektuar emrin e tij e për të takuar përsëri ish-kolegët tanë e miqtë. Kjo është një nismë shumë e mirë, mendoj që duhen respektuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut. Ndonjëherë është më mirë të respektohen përpara se të ndërrojnë jetë sepse kjo do t’i jepte një kënaqësi më të madhe për ta ndier kontributin që kanë dhënë. Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë dhe shpresoj të jetë një ogur i mirë.”
Një nga miqtë më të mirë dhe bashkëlojtar i Vasos është korçari Dhimitraq Dembo, po ashtu një figurë e nderuar e futbollit korçar dhe shqiptar. Dembo shprehet se do ta kujtojnë gjithmonë Teodor Vason, ndërsa ajo çka do mbajë mend gjatë është momenti kur së bashku me Vason dhe 2 futbollistë të tjerë korçarë, u grumbulluan me Kombëtaren.
“Unë nuk isha këtu, isha në Amerikë dhe aty mora vesh që ndërroi jetë legjenda e futbollit shqiptar dhe atij korçar. Ne veteranët e futbollit do ta kujtojmë vazhdimisht Teodor Vason, për kontributin që ka dhënë dhe mbi të gjitha edukatën e kulturën e tij. Këto aktivitete për figurat e futbollit të Korçës duhet të bëhen vazhdimisht, se edhe Veteran Topçiu ishte një figurë e ndritur e futbollit korçar me kontribut jashtëzakonisht të madh. Prandaj duhet të kujtohen sepse janë një traditë. Ne jemi grumbulluar me Todon, me Koçon dhe me Gjergon me Kombëtaren dhe për këtë do ta mbaj mend gjithë jetën Teodor Vason.”
Tri ndeshjet e luajtura përfunduan me këto rezultate, Skënderbeu 1 – 2 Apolonia, Skënderbeu 3 – 1 Flamurtari dhe Apolonia 1 – 0 Flamurtari. Ekipi i Apolonisë ishte fitues i kësaj triangolare, i ndjekur nga ekipi i Skënderbeut dhe në vendin e tretë ekipi i Flamurtarit. Ky ishte aktiviteti i parë i organizuar në nder të Teodor Vasos, duke qenë një nismë që kërkon vijimësi, për të gjitha figurat e shquara sportive. Korça është qyteti i futbollit, me histori, trofe, e legjenda si Vaso.
Burimi: CNA.al