Burimi: Revista Monitor
Numri i vizitorëve të huaj shënoi rritje vjetore me 43.4% në tremujorin e parë 2024, por në të njëjtën periudhë, eksportet ranë me 22% dhe importet e ushqimeve u rritën në të njëjtën masë. Zhvillimi i vrullshëm i turizmit nuk po lidhet me sektorin e prodhimit, duke bërë që një pjesë e madhe fitimeve të industrisë të rikthehen jashtë për importin e mallrave. Ekspertët pohojnë se përfitimet e ekonomisë zbehen nëse nuk nxitet bujqësia dhe sektorët të tjerë të prodhimit. Shembujt se si mund të nxisë turizmi sektorët e tjerë, që nga bujqësia, agro-përpunimi dhe prodhimi i detergjentëve dhe mobilieve
Blerina Hoxha
Rritja me shpejtësi e numrit të vizitorëve të huaj në vendin tonë është një mundësi e artë për të nxitur më tej ekonominë dhe mirëqenien në vend.
Përvojat e vendeve të tjera mesdhetare (Italia, Greqia, Turqia, Spanja etj.) na tregojnë se, nga turistët nuk përfitojnë vetëm hotelet dhe restorantet, por shumë sektorë që lidhen me prodhimin dhe sidomos bujqësia dhe i gjithë zinxhiri i furnizimit që i nevojitet turizmit.
Kjo lidhje e bën turizmin gjithëpërfshirës dhe zgjeron përfitimet te më shumë njerëz.
A po ecën në këtë trajektore Shqipëria? Të dhënat tregojnë një prirje të kundërt. Teksa numri i turistëve është duke u rritur në rekorde, sektori i prodhimit, bujqësia, industria dhe eksportet në përgjithësi po bien me shpejtësi.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të vitit, numri i të huajve në territorin shqiptar ka kaluar 1.5 milionë, me një rritje 43.4%, pasi shënuan rekordin e 10 milionëve në 2023.
Në kontrast, sektori i bujqësisë në vitin 2023 shënoi rënien më të madhe që nga viti 1997, prirje që ka vijuar edhe në vitin 2024. Mungesa e lidhjes me sektorët e tjerë po bën që një pjesë e madhe e fitimeve që vijnë turizmi të dalin jashtë për importin e mallrave që na duhen për turistët.
Në tremujorin e parë, artikujt që lidheshin me furnizimet e hoteleve shënuan rritje në sasi nga 20-80%, duke ndikuar negativisht deficitin tregtar. Në janar-mars 2023, raporti i mbulimit të importeve me eksporte ishte 45,6% nga 58,9% në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Fatmir Braha, me përvojë 30-vjeçare në prodhimin e mobilieve, tha se nuk është duke përfituar as nga zhvillimi i turizmit dhe as nga ndërtimi. Ai tha se sektori i përpunimit të drurit po vuan mungesën e punonjësve dhe e ka të pamundur të plotësojë kërkesat voluminoze të hoteleve.
Shumë prej mobilieve të hoteleve po vijnë nga Kina e largët për shkak edhe të kostos më të lirë.
Biznesmeni Ram Geci, i cili zotëron “Hotel Tirana International”, dhe po përfundon punimet e hotelit të ri shumëkatësh “Tirana InterContinental”, tha se në politikat e tij është furnizimi nga tregu i brendshëm, por në disa raste, kjo është e pamundur.
Në hotelin e ri në qendër të vendit do të operohet nga marka ndërkombëtare “InterContinental” që nga dizajni, mobiliet etj., të cilat do të merren nga jashtë vendit për shkak se tregu vendas nuk mund të përmbushë kërkesën. “Kam një politikë të cilën synoj ta zbatoj me korrektesë.
Për të njëjtin çmim do të zgjidhet gjithmonë prodhim vendi”, tha z. Geci, por kjo nuk është e mundur në të gjitha rastet.
Të dhënat tregojnë se prodhimi vendas, në vend që të rritet me ardhjen e turistëve, po ulet më tej. Për ekspertët e ekonomisë dhe ata të biznesit, rritja e turizmit dhe rënia e prodhimit ka pasoja.
Alban Zusi, i cili operon në sektorin e industrisë përpunuese, thotë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e “Made in Albania”.
Për ekonomistin Panajot Soko, ekonomia shqiptare duhet të bazohet te prodhimi shqiptar. Tregu i prodhimeve është i qëndrueshëm, me normë shumë të lartë vlerësimi, ndërsa tregu i shërbimeve, edhe për shkak të avancimit teknologjik e shoqëror është i paqëndrueshëm, me norma shumë të larta zhvlerësimi.