Nertil Jole:
Stina e verës dhe temperaturat e larta rrisin rrezikun për aktivizimin e zjarreve, qofshin të qëllimshme apo aksidentale. Për parandalimin e këtij rreziku, zhvillova sot takimin me Komisionin e Mbrojtjes Civile në shkallë qarku për periudhën Maj-Tetor 2024 lidhur me administrimin e Emergjencave Civile Verore, ku i pranishëm ishte edhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile z. Haki Çako.
Nga statistikat rezulton se vitin e kaluar numri i zjarreve ka ardhur në ulje në nivel qarku dhe sipërfaqet e prekura prej tyre kanë qenë më të vogla, megjithatë duhet garantuar vigjilencë e vazhdueshme për të reduktuar efektet negative nga zjarret (apo edhe përmbytjet), që mund të shkaktohen në vijim.
Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore kanë detyrim të zbatojnë programin e masave të përgatitur nga institucioni i Prefektit për sezonin veror. Masat parapërgatitore, sinjalizimi i hershëm, kontrolli dhe monitorimi i vazhdueshëm i teritorit (në veçanti në zonat me risk), si dhe organizimi i sistemit të vrojtimit e reagimi i menjëhershëm i strukturave për shuarjen e zjarreve, janë jetike për parandalimin e situatave me risk që mund të agravojnë.
Mbështetja e përvitshme nga buxheti i shtetit në fushën e mbrojtjes civile nuk ka munguar, nëpërmjet fondit të kushtëzuar të alokuar për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe projekteve fituese nga fondi i programeve për mbrojtjen civile dhe digat. Për këtë vit bashkitë kanë kapacitete operacionale e mjete zjarrëfikëse më të kompletuara.
Domosdoshmëria e koordinimit të punës nga strukturat e vetë bashkive, ndërmjet bashkive si dhe me institucionet shtetërore në nivel vendor e rajonal, do të garantojë një administrim edhe më efikas të situatave të krijuara nga rënia e zjarreve.