TIRANË, 12 maj /ATSH/ Mozaiku në Bazilikën Paleokristiane të Linit, Pogradec, do të qëndrojë i vizitueshëm për publikun deri në fund të muajit maj.
Lajmi bëhet me dije nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK).
Kjo bazilikë, me sipërfaqe 158 m2, është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore që ruan pothuajse të plotë planimetrinë dhe dyshemenë me mozaikë. Bazilika u zbulua për herë të parë në vitin 1967.
Mozaiku i Linit u shpall Monument Kulture i Kategorisë I në vitin 1973. Mozaiku u zbulua nga gërmimet në vitin 1969 që janë bërë në Lin të Pogradecit. Gërmimet treguan për një vendbanim ilir, që i përket Epokës së Hekurit dhe vijnë deri në Mesjetën e Hershme. Nga mozaikët e zbuluar në këtë vend, bie në sy pasuria nga një dekor i larmishëm zoomorf, bimor e gjeometrik, me vlera të shquara artistike. Mozaikët nga ana artistike ngjajnë me stilin e një trevë të gjerë ballkanike, që përfshinte qytete si Dyrrahu, Stobi, Tesaloniku, etj.
Bazilika Paleokristiane së bashku me mozaikët i përkasin shek. VI pas Krishtit. Ndër të tjera në të dhënat theksohet se Bazilika ka pasur shtatë ambiente kryesore, të shtruara me mozaikë. Motivet e përdorura janë ato të skenave të ndryshme si “eukaristia”, motive me gërsheta, skena nga bota ujore, shpendë, lule të ndryshme ku më interesantet janë lulet e lotusit, apo kryqi i thyer simbol i diellit, si edhe disa motive shumë pak të përdorura në mozaikët e tjerë të Shqipërisë, siç janë lepujt dhe bletët.
Në kuadër të bashkëpunimit mes IKTK dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, në “Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, po zhvillohen “Javët e Mozaikëve” për t’i dhënë publikut një mundësi më shumë për t’u njohur me pasurinë e fondit të mrekullueshëm të mozaikëve.
Mozaiku do të qëndrojë i hapur deri në fund të muajit maj.