TIRANË, 8 maj /ATSH/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Ersekës, organizoi sot një ekspozitë dokumentare mbi arratisjet dhe vrasjet në kufirin juglindor.
Në 8 maj 1990, kur Evropa kremtonte prej 45 vjetësh gjerësisht Ditën e Fitores mbi Nazizmin dhe Totalitarizmin, Shqipëria ende dëshmonte se tentativat për arratisje në kufi rezultonin fatkeqe. Presidiumi i Kuvendit Popullor zbuti, në dukje, Kodin Penal, sipas të cilit kalimi i kufirit nuk konsiderohej me “tradhti ndaj atdheut”, por vrasjet në kufi vijuan.
Në këtë kuadër AIDSSH, me pjesëmarrjen e të prekurve nga arratisjet në kufi, studiuesve shkencorë, përfaqësuesve të pushtetit lokal, organizoi sot një ekspozitë me dokumente arkivore, me fakte nga ngjarje tragjike në rajonin kufitar në zonën juglindore të vendit, Kolonjë, Korçë, Pogradec, ku arratisjet kanë qenë të shumta, dhe ku djem të rinj mbetën të vrarë dhe të tjerë janë ende të pagjetur.
Dokumentet dëshmojnë fakte nga brutaliteti i shtetit komunist si dhe koston e përpjekjeve vetëmohuese të shqiptarëve për t’iu larguar varfërisë, dhunës dhe persekutimit.
Kryetarja e Autoritetit, dr. Gentiana Sula në fjalën e saj tha se qëllimi përfundimtar i Autoritetit është realizimi i një memoriali në kujtim të jetëve të humbura dhe sakrificave njerëzore për liri. Në bashkëpunim me Shoqatën Antikomuniste të ish-Përndjekurve Politikë dhe me bashkinë e Ersekës, AIDSSH po punon për integrimin e kësaj ideje me projektin vendor për krijimin e “shtegut të lirisë”.