Burimi: Korca Boom
Ditën e djeshme ka pasur festë në të gjithë Pogradecin, madje i madh dhe i vogël ka festuar ngjitjen e skuadrës në kategorinë e parë, një kategori që e ka merituar dhe e ka treguar edhe në kohën kur ka qenë atje.
Mbrëmë ishte nata e gëzimit për lojtarët, stafin dhe tifozët dhe me të drejtë është festuar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Ndërkohë që nga sot me të drejtë të gjithë do të pyesin: Çfarë do të ndodhë me Pogradecin më tej?!
Bëjmë këtë pyetje pasi Bashkia e këtij qyteti e ka nxjerrë në shitje klubin dhe pritet të kemi një emër të ri presidenti, por gjithçka u shty javë më parë, për të parë nëse Pogradeci do të ngjitej apo jo në kategorinë e parë.
Tashmë që kjo u bë realitet, pritet edhe verdikti final. Një gjë është e rëndësishme, që sezonin e ardhshëm do të shikojmë një Pogradec edhe më të fortë dhe dinjitoz, por kjo duhet zgjidhur sa më parë, për të mos e lënë pas dore dhe të mos vendoset kur të jetë vonë.
Në Pogradec mezi e presin verdiktin final dhe festa e kreut të Grupit B të kategorisë së dytë ka përfunduar.
Ka ardhur koha të ndërtohet një Pogradec i madh!