Shkruan: REDI DANDALLAKU
Barazim i Pogradecit në Gjirokastër/ Kategoria e parë vetëm një hap larg. Java e fundit kundër Turbinës së Cërrikut në “Gjorgji Kyçyku”.
Supersfida mes Luftëtarit dhe Pogradecit u mbyll në barazim me shifrat 1-1. Ishin pogradecarët ata që shënuan të parët në pjesën e dytë përaktësisht në minutën e 51-të me autor të golit sulmuesin elbasanas Jurgen Peqini.
Fill pas golit të avantazhit trajneri Nikaj ndërhyri duke kryer zëvendësime duke përforcuar mesfushën në fillim e më pas mbrojtjen. Edhe sulmi pësoi ndryshime ku dolën Shkulaku dhe Kazim që u zëvendësuan nga Ibrahim dhe Pengu. Por sulmi la për të dëshiruar në pjesën e dytë pasi pogradecarët nuk arritën të godasin asnjëherë portën dhe të ndërmerrnin ndonjë sulm konkret. Mbase kjo ishte një taktikë e teknikut Nikaj ku ai ndoshta u mjaftua me një gol dhe ndoshta edhe barazimi do të ishte një rezultat i kënaqshëm për skuadrën.
Luftëtari barazoi në minutën e 68-të me anën e një goli me kokë me autor sulmuesin Mirani. Pas këtij goli sulmet e gkirokastritëve ishin të shumta por pa rezultat. Një prej aksioneve më drithëruese ishte momenti kur Ziaj i Luftëtarit rrezikoi për 2-1 kur goditi me kokë por ishin duart e portierit Baçi që kapën sferën dhe më pas sfera kapi traversën. Sulme këto që detyruan skuadrën liqenore të mbyllej në mbrojtje ku ia doli më së miri. Tashmë gjithçka mbetet e hapur për ngjitjen ku titulli dhe kalimi në kategorinë e parë do të vendoset javën e fundit. Liqenorët janë më të avantazhuar pasi presin Turbinën e Cërrikut në shtëpi që luan pa objektiva në kampionat por gjithësesi duhet fitorja për tu shpallur kampionë dhe për tu rikthyer në kategorinë e parë pas dy vitesh mungesë.
LUFTËTARI 1- 1 POGRADECI
68′ Mirani/ 51′ Peqini
Shkruan: REDI DANDALLAKU