Burimi: Korça Boom
Në Universitetin “Fan S. Noli” u zhvillua një veprimtari, ku u promovua antologjia e dytë letrare që vjen në kuadër të projektit “Kërkimi Shkencor në Letërsi”.
Projekti është ndërmarrë nga Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë me qëllim nxitjen dhe promovimin e talenteve krijuese të studentëve.
Dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se kërkimi shkencor është mjaft i rëndësishëm për studentët sepse stimulon tek ata thellimin në fushën e dijes, vendosjen e një balance midis bashkëpunimit dhe punës individuale, shmangien e plagjaturës etj. Ata nëpërmjet këtyre punimeve nxiten të punojnë tema diplome e të bëhen më të konkurueshëm se të tjerët në tregun e punës.
Ky është botimi i dytë me punime shkencore dhe përmban 18 të tilla, ndërsa botimi i parë i titulluar “Laboratori i krijimit letrar” përmban krijime të studentëve në poezi dhe prozë.
Në këtë kuadër, pedagogu, prof. as. dr. Eris Rusi nënvizoi se të dy këto botime do të jenë edhe pjesë e bibliotekave tona, duke pasqyruar punën krijuese dhe kërkimore-shkencore të studentëve. Sipas tij, projekte të tilla stimulojnë dëshirën dhe pasionin e studentëve për të qenë të realizuar në rrugëtim akademik që kanë zgjedhur.