Burimi: Korça Plus
Ndeshja e së shtunës kundër Erzenit është një takim, që mund të vendosë gjithçka sa i përket mbijetesës, gjë që në kampin bardhekuq nuk duan ta llogarisin aspak.
I këtij mendimi është vetë trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” ka kërkuar me çdo kusht rezultatin maksimal në këtë ndeshje, kjo edhe për t’u shfajësuar me tifozët për atë ndeshje shtëpie të humbur përballë Teutës.
Në të tilla kushte, Gvozdenoviç sheh fitoren, si të vetmin rezultat që i bën punë Skënderbeut.
“Kemi një ndeshje të vështirë të shtunën dhe nuk duhet kurrsesi ta neglizhojmë.
Vijmë nga një fitore dhe do të mundohemi që të mbajmë të njëjtin ritëm. Javët që vijnë, janë të ngjeshura dhe tejet të vështira, prandaj çdo ndeshje dhe çdo pikë e lënë do të ishte një kërcënim për objektivin tonë kryesor.
Në të tilla kushte na lind për detyrë që të mbyllim sa më shpejt llogaritë me objektivin kryesor të sigurimit të mbijetesës për të pasur gjithçka më të lehtë dhe më të menaxhueshme në javët që ngelen.
Nuk duam të komplikojmë rrugëtimin tonë dhe të hasim vështirësi që mund dhe duhet t’i shmangim.
Prandaj për ne kjo ndeshje vlen shumë, ndoshta më shumë sesa tri pikët. Nga ana tjetër, fitorja është edhe një detyrim ndaj publikut dhe tifozëve tanë. Kthehemi në stadiumin tonë, ku ndeshjen e fundit nuk përmbushëm pritshmëritë e tifozëve.
Ua kemi borxh atë gabim. Le ta shlyejmë në këtë ndeshje radhe”, theksoi fillimisht kryepankina korçare në lidhje me ndeshjen e radhës.
OBJEKTIVI I ndalur më pas te mundësia për të qenë pjesë e katër ekipeve të para që kalojnë në fazën finale të kampionatit, trajneri bardhekuq ka dribluar, duke mos dalë hapur në pretendimet e këtij fundi të sezonit.
“Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme për të luajtur me Erzenin të shtunën dhe duhet të jemi të përqendruar vetëm te kjo sfidë. Nuk duam të mendojmë shumë gjatë, pasi mendimet e tilla krijojnë shpërqendrim.
Do të marrim gjithçka javë pas jave për të parë gjendjen tonë dhe mundësitë reale për të qenë pjesë e katër ekipeve të para të kampionatit. Pikët tregojnë se jemi në garë për momentin dhe gjithçka mbetet e hapur.
Kur pikët të lejojnë të synosh një objektiv madhor, përse të mos e tentojmë të bëjmë një gjë të tillë? Por e përsëris, kryesore për ne mbetet ndeshja e radhës kundër Erzenit”, përfundoi numri 1 i pankinës korçare.
Gvozdenoviç, bashkë me Edlir Tetovën e Egnatias janë dy trajnerët e vetëm deri më tani, që janë emëruar në krye të skuadrave që në fillim të sezonit.
Nën drejtimin e ish-mbrojtësit Skënderbeu mund të konsiderohet si një nga skuadrat më surprizë të kampionatit.