Nertil Jole shkruan: Në zbatim të urdhrit të Kryeministrit për ngritjen e Task-Forcës me qëllim ndalimin e përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në territor të qeseve plastike të degradueshme, zhvillova një takim me përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoriatit Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut dhe strukturave të Policive Bashkiake në rang qarku, duke qenë se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për Policinë Bashkiake”, kësaj të fundit i është shtuar kompetenca e verifikimit të normave ligjore në lidhje me përdorimin në tregje të qeseve plastike të degradueshme.
Dakortësuam që fushata komunikuese e ndërgjegjësuese në tregje dhe subjekte private brenda territorit të qarkut tonë të vijojë sistematikisht, për të garantuar që veprimtaria e prodhimit dhe e përdorimit të ambalazheve plastike të kryhet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Institucionet përgjegjëse kanë një rol kyç për ndalimin e të gjitha subjekteve që nuk respektojnë rregullat, nëpërmjet aplikimit të gjobës 500 000 lekë – 1 500 000 lekë, deri te masa më e rëndë, ajo e sekuestrimit të mallit që konsiderohet i paligjshëm.
Në këtë drejtim ka akoma shumë punë për të bërë. Mbajtja pastër e territorit, mbrojtja e konkurrencës së ndershme dhe garantimi i produkteve me siguri për konsumatorin, duhet të jenë një standart i panegociueshëm.