Një qytetar ka dërguar në redaksi një denoncim për situatën e qenve të rrugës, ai thotë se e gjithë situata është shkaktuar sipasojë e sjelljes së qenve në Pogradec dhe në të paktën 4 raste ka pësuar sulm nga këta qen. Ai i bën thirrje institucioneve të veprojnë. Në Bashkinë e Pogradecit ka një fond dedikuar qenve endacak, por nuk dihet si menaxhohet i njëjti, teksa vetëm pak muaj na ndajnë nga fillimi i sezonit turistik dhe situata është shqetësuese. Qytetari shkruan:
“Përshëndetje redaksia. Dua të ndaj një shqetësim që po mbizotëron sëfundmi në qytetin e Pogradecit. Bëhet fjalë për qentë endacakë të cilët janë shtuar çuditërisht kohët e fundit, duke ndenjur nëpër tufa dhe janë agresivë për më tepër. Vetëm nga rrethi im shoqëror dhe familjarë mund të them se ka pasur mbi katër raste sulmesh, fatmirësisht pa lëndime. Në qytet qarkullojnë fjalë se këta qen, shumica e tyre sillen natën me makina nga qyteti i Korçës dhe lëshohen këtu në Pogradec. Nuk kam fakte por këto janë fjalët që qarkullojnë. Tani çështja qëndron te zgjidhja e problemit. Nuk jemi dakort për asgjesimin e tyre në mënyrat më të lehta që përdorin rëndom bashkitë në vëndin tonë(duke i helmuar), por të merren masat e duhura dhe të ezaurohet ky problem. Shoqatat për mbrojtjen e kafshëve që ngrenë zërin kur shohin qentë të nxjerrin shkumbë nga goja të reagojnë njëherë para se kjo të ndodhi. Jo vetëm t’i japin zë problemit pasi ndodh por të bashkëpunojnë dhe të parandalojnë më të keqen. Të shpëtohen qytetarët nga kanosjet dhe qenushët nga asgjesimi. Faleminderit!”