Koleksionisti i njohur korçar Mirgen Shamblli ka sjellur një ekspozitë shumë të veçantë, e cila është hapur në kuadër të 110-vjetorit të krijimit të pullës së parë lokale në Korçë, e cila daton nga 19 Marsi 1914. Ajo u vendos nga komisioni provizor i kontrollit në Korçë, i cili nisi funksionimin 4 ditë para ardhjes së princit Vidit.
Koleksionisti thotë se pjesë e ekspozitës janë 2 stenda me rreth 100 materiale, duke përfshirë pullat, fotografitë dhe zarfet. Më e rëndësishmja dhe më e veçanta mbetet pulla ngjyrë lejla e prodhuar 110 vite më parë.
Duke qenë se ekspozita është vendosur në një nga zonat më të frekuentuara nga turistët, shumë kanë qenë ata të cilët e kanë parë nga afër ekspozitën dhe janë njohur me materialet autentike të ekspozuara për herë të parë. Ekspozita ka qëndruar e hapur në Korçë për dy ditë.
Autore: Elsa Xhindole


