Burimi: Radio Evropa e Lirë
Në Maqedoninë e Veriut punëtorët nga vendet nënshkruese të nismës së Ballkanit të Hapur vazhdojnë të punojnë “në të zezë”, pavarësisht se kjo çështje synohet të rregullohet me marrëveshjen për qasje të lirë në tregun e punës, e cila ka hyrë në fuqi më 5 mars.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se qëllimi i kësaj mase është të kontribuojë në heqjen e barrierave që pengojnë tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe të mundësojë përdorimin e shërbimeve elektronike në kuadër të nismës rajonale.
Qytetarët e interesuar për qasje të lirë në tregjet e punës të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, fillimisht duhet të marrin numrin e identifikimit Ballkani i Hapur në portalin e shërbimeve elektronike në vendin e tyre, me të cilin aplikojnë për miratim për qasje të lirë në tregun e punës në dy vendet e tjera.
Procedura, siç bëhet e ditur në komunikatën e Qeverisë në Shkup, zhvillohet tërësisht në mënyrë elektronike dhe zgjat deri në 30 ditë.
Por, pavarësisht lehtësirave dhe detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, pronari i një kompanie ndërtimi në rajonin e Strugës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se punëtorët nga jashtë e që kryesisht janë nga Shqipëria, nuk paraqiten në entet e punësimit.
“Me ligj ata duhet të paraqiten, por ligji në praktikë nuk zbatohet. Punëtorët që kemi nga Shqipëria, nuk paraqiten për të marrë leje pune. Nëse ka kontrolle, detyrohemi, por derisa nuk ka kontrolle nuk e marrim këtë përgjegjësi ta bëjmë, domethënë vazhdojnë të punojnë në të zezë. Ka plot nga Shqipëria që punojnë kështu në rajonin e Strugës. Pra, vazhdon avazi i vjetër”, thotë Sh. A, pronar i një kompanie ndërtimi në Strugë, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë.
Ai thotë se kompanitë nuk i paraqesin punëtorët për shkak të kostos financiare, por edhe mungesës së ndihmës nga shteti.
“Nuk kemi stabilitet [financiar]. Çfarë më mundëson mua shteti si pronar i kompanisë që të marr makineri me kredi të leverdishme. Me 6 apo 7% kamatë nuk ia vlen t’i blej ato. Shtetit i intereson që t’i marrë lekët, por jo edhe ne. Shteti dëshiron që t’i paraqesim punëtorët që të mund të marrë para nga sigurimet”, thotë pronari i kompanisë së ndërtimit në Strugë.