TIRANË, 1 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë punimeve të Samitit të 10-të të Korridorit Jugor të Gazit në Baku Azerbajxhan, se investimet në energjinë e qëndrueshme dhe të ripërtëritshme janë pa asnjë dyshim thelbësore për Shqipërinë.
“Vitet e fundit ato e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend të natyrshëm të tranzicionit të gjelbër dhe inovacionit në sektorin energjetik”, tha Rama.
Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se nisja e dialogjeve për hidrogjenin e gjelbër në kontekstin e Korridorit Jugor të Gazit është shumë e rëndësishme dhe përmirëson edhe njëherë vlerën e kësaj nisme vizionare.
“Së pari ofron një mjet për trajtimin e shqetësimeve mjedisore në përputhje me objektivat globale të qëndrueshmërisë. Së dyti, përqafimi i hidrogjenit të gjelbër çel mundësi të reja ekonomike, nxit novacionin, kërkimin dhe zhvillimin në sektorin e energjisë së pastër. Së fundi e pozicionon korridorin si një nismë largpamëse, e cila u përgjigjet kërkesave në zhvillim të një bote që gjithmonë e më tepër përqendrohet te shkarbonizimi”, tha Rama.
Duke folur për Korridorin Jugor të Gazit, Rama tha se “kjo rrugë e re e mëndafshtë e energjisë është shndërruar në një urë bashkëpunimi intensiv duke sjellë më pranë vendet dhe ekonomitë në një format i cili vetëm sa shton mundësitë që ofron”.
“Sot ky format është shndërruar në një urë, ku pjesë e re përbërëse është bërë edhe dimensioni i energjisë së gjelbër. Pra sot jemi të gjithë dëshmitar se Korridori Jugor i Gazit ka ndryshuar shumë jetë dhe e ka bërë Europën më të sigurt”, tha Rama.
Rama nënvizoi se përqindja e gazit rus në BE po bie nga 40% në 8% dhe së shpejti do të shkojë në 0%.