Krahina e Mokrës në Pogradec vuan prej mungesës së investimeve në infrastrukturë nga pushteti vendor dhe qendror për një periudhë të gjatë. Fshati Rodokali është një nga fshatrat më të populluara në zonën e Mokrës, vetëm disa kilometra larg rrugës kryesore që lidh Prrenjasin me rrugën Qukës-Qafë Plloçë, por për të arritur në qendër të fshatit duhet më shumë se 40 minuta për shkak të kushteve të këqija rrugore.
Më shumë se 300 familje që jetojnë në fshat përballen me kushte të vështira infrastrukturore, ku përveç rrugës, rrjeti i energjisë elektrike dhe ujësjellësi janë në gjendje të tmerrshme, duke shkaktuar shqetësime të mëdha për banorët.
Agim Kolgega kryeplaku i fshatit, ka raportuar këto probleme në Bashkinë e Pogradecit, por pa asnjë reagim ende. Ai thekson se cilësia e ujit është shqetësuese për shëndetin e fëmijëve, ku për shkak të ujit të pa pastruar janë sëmurur më shumë se 15 fëmijë, ndërsa rrjeti elektrik nuk është i aftë të rezistojë edhe ndaj stuhive më të lehta, duke lënë fshatin në errësirë shpesh gjatë dimrit.
Investimet në infrastrukturë duket se janë vetëm premtime zgjedhore, duke lënë këtë vendbanim të përballen me një shpopullim të shpejtë.