Është bërë tashmë e natyrshme fryrja e administratës së Bashkisë Pogradec për militantët dhe qokat shoqërore, në jo pak raste nuk mungon as nepotizmi. Gjithsesi nga koha e dhënies së shërbimit duket që shtohet për qytetarët edhe pse nga viti në vit kemi të bëjmë me një rritje progresive të numrit të punonjësve. Nëse në vitin 2023, sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, Bashkia e Pogradecit kishte mundësi për rekrutimin 760 punonjësish, për vitin 2024 janë planifikuar 20 punonjës më shumë, thënë ndryshe 780 të tillë, pa llogaritur këtu punonjësit e ndërmarrjeve të UK Pogradec.sha dhe kompanisë private e cila merr tendera (Rej Sh.p.k), e cila ushqen punonjësit me paratë publike, apo edhe 20 punonjës të tjerë mbi numrin e përgjithshëm (punonjës me kontratë). Numri i 800 punonjësve shënon rekordin historik të punësimeve në këtë institucion.
Nëse flasim për efikasitetin dhe profesionalizmin e administratës, atëhërë kjo le shumë për të dëshiruar. Zyrtarisht pagat dhe sigurimet shoqërore në këtë institucion, mbajnë zërin kryesor të shpenzimeve. Por edhe pse numri i punonjësve është rritur, nuk shihet ndonjë ndryshim i madh në qytet, Pogradeci mbetet po i njëjti, por vetëm me taksa më të larta dhe çmim uji më të shtrenjtë.
Rritja më e lartë e punësimeve u shënua vitin e shkuar, që korespodonte me një vit zgjedhejesh. Ndërsa viti 2024 thyeu rekordin e atij që lamë pas, kjo për vetë faktin e përgatitjes së Zgjedhjeve të Përgjithshme Parlamentare 2025. Fryrja e organikës tashmë është fakt që nxjerr zbuluar këtë institucion, për personat e punësuar si pjesë e strukturave partiake.
Ndërkaq në redaksinë e PogradeciPress.al kanë mbërritur denoncime që thonë se në mesin e të punësuarve ka dhe persona të cilët paguhen me rroga dhe nuk paraqiten në punë. Gjithsesi denoncimet priten që të verifikohen dhe konstatimet më pas të publikohen për publikun.