Deputetja Sorina Koti: Vodhën fondet e BE, qeveria shkatërron fermerin shqiptar. Prodhimi vendas kalbet dhe përfundon kanaleve, qytetarët blejnë prodhime importi
DEKLARATË PËR MEDIA E DEPUTETES SË PD, SORINA KOTI
Fermeret e Qarkut Korçë, edhe këtë vit, përballen me vendimin e dhimbshëm të hedhjes në kanal të prodhimeve të tyre dhe të humbjes ekonomike që e shoqëron këtë.
Korça, nje nga rajonet më të mëdhenj të prodhimit të mollëve, vitet e fundit, si pasojë e politikave anti-kombëtare të qeverisë Rama, nuk ka më treg për prodhimet e saj, kryesisht mollë, përveç kanaleve dhe prerjes së druve frutorë.
Në Rajonin e Korçës jane 36 frigoriferë, me kapacitete që variojnë nga 5000 kv deri në 10000 kv. As 20 përqind e sasisë së mollëve të mbledhur në këta frigoriferë nuk është shitur.
Qeveria vazhdon te ndërmarrë reforma shkatërruese për ekonominë dhe fermerin shqiptar. Qeveria vjedh edhe fondet që BE ia jep ABZHR për fermerin shqiptar, gjë që çoi në ndërprerje të granteve.
Ka 10 vjet që nuk subvencionon produktin vendas, por ka ngritur traun për mallin e importit. Prodhimet shqiptare kalben nëpër magazina, ndërsa qytetarët blejnë prodhime nga Serbia, Italia, Greqia etj.
Nuk ka asnjë politikë stimuluese për agro-përpunimin dhe konservimin.
Partia Demokratike u bën thirrje fermerëve të Korcës dhe të gjithë Shqipërisë, të ngrihen në mbrojtje të mundit, të drejtave dhe dinjitetit, ashtu si u ngritën blegtorët e Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës. Ashtu siç po ngrihen të ngjashmit e tyre në Itali dhe Greqi. Pa rezistencë serioze kjo qeveri do të vazhdojë në rrugën e rrënimit të Shqipërisë. Fermerëve u ka mbetur të hedhin prodhimet në kanal, blegtorëve të derdhin qumështin, dhe të gjithëve bashkë të marrin pasaportat dhe familjet dhe të ikin nga sytë këmbët.
Qeveria nuk ju mbron dhe as ju respekton. Detyrojeni!
Përkrahjen e Partisë Demokratike do ta keni pa rezerva!