Fermerët e fshatit Sheqeras po ballafaqohen me një situatë të ndërlikuar, pasi depot e tyre të grurit dhe misrit janë të mbushura plot, ndërsa këto produkte nuk kanë gjetur rrugën e tregut. Rreth 800 ton grurë dhe po aq misër presin ende për t’u tregtuar, duke sjellë shqetësime serioze për këtë komunitet bujqësor të zonës.
Ata tregojnë se në dallim nga vitet e mëparshme, këtë vit nuk ka pasur një kërkesë të mjaftueshme në treg për këto drithëra. Çmimi i grurit është raportuar të jetë 23 lekë për kilogram, një vlerë e cila, sipas fermerëve, nuk duhej të ishte më poshtë se 40 lekë për kilogram, duke pasur parasysh kostot e prodhimit.
Fermerët shtojnë se në vitin e kaluar ata u përgjigjën thirrjes së Ministrisë së Bujqësisë për të shtuar prodhimin e drithërave, për shkak të luftës ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, duke marrë edhe subvencione për këtë gjë. Megjithatë tani ata përballen me rrezikun e mungesës së tregut, duke rrezikuar mbi 80% të prodhimit të tyre, i cili nëse nuk shitet për pak muaj, do të përfundoj i hedhur.
Me shqetësim fermerët bëjnë thirrje për ndërhyrjen e shtetit në rregullimin e tregut. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Bujqësisë në Bashkinë e Maliqit, në të gjithë fushën e Maliqit, janë mbledhur rreth 14 mijë tonë grurë dhe 15 mijë tonë misër, prej të cilave më shumë se gjysma ende nuk është tregtuar. Pogradecipress.al