Gazetar: Miki Trajkovski
Gara e paralajmëruar me motobarka, e cila duhet të zhvillohet në muajin korrik në pjesën shqiptare të liqenit të Ohrit në Podgradec, ka ndezur alarmin e organizatave ekologjie nga të dy vendet të cilat kërkojnë shtyrjen e garës për shkak të ndikimit negativ në botën e gjallë dhe ekosistemin në përgjithësi. Sipas aktivistëve, mbajtja e garës do të thotë katastrofë ekologjike për liqenin.
“Nëse organizohet, pritet që në ajër dhe në liqen të ketë emetim mbi 1.639.089 kilogramë dyoksid/karboni. Kjo sasi e cila do të lirohet brenda pak ditëve, është e barabartë me emetimin e gazrave serrë të 365 makinave për një vit të tërë. Kjo është sasi e madhe”, tha Konstantin Zadravevski- përfaqësues i organizatave joqeveritare.
“Për fqinjët tanë kjo do të ishte mundësi për të promovuar turizmin në Shqipëri, por për ne do të ishte akt dhune ndaj mjedisit dhe liqenit të Ohrit. Është për të ardhur keq që përfitimet ekonomike afatshkurtra si kjo ngjarje rrisin ndikimin antropogjen në liqenin e Ohrit gjegjësisht prishja e eko sistemit dhe plakja e përshpejtuar”, u shpreh Orhideja Tasevska- drejtore e Institutit hidrobiologjik- Ohër.
Peticioni për shtyrjen e garës është nënshkruar nga aktivistë nga pesëdhjetë organizata civile, institucione, profesorë universitar nga Maqedonia dhe Shqipëria dhe do t’i dorëzohet qeverisë në Tiranë.
Për garën nevojiten 4300 m2 vend parkimi për të akomoduar 43 ekipe dhe njëqind kamionë ndërsa platforma e nisjes do të ndërtohet në liqen në thellësi prej 20 metra ku është numri më i madh i peshqve. Ngjarja tashmë është shpallur zyrtarisht në faqen e internetit të organizatorit. /Alsat.mk