Situata e vështirë në tregun e mollës industriale po ndikon negativisht në jetën e dhjetëra fermerëve në Korçë, të cilët gjenden përballë sfidave të mëdha në shpërndarjen e prodhimit të tyre. Fermerët kanë akumuluar sasi të mëdha të mollës së cilësisë së dytë, pasi eksportet janë reduktuar dhe tregu vendor nuk ka kapacitet për t’i absorbuar.
Fermerët ankohen se mungesa e kontratave me kompanitë përpunuese dhe rënia e interesit të blerësve lokalë kanë lënë prodhimin e tyre pa një treg të qëndrueshëm. Përpjekjet për të gjetur zgjidhje janë bërë, duke përfshirë kontaktimin e Agjensisë Rajonale të Bujqësisë në Korçë, por vërehet mungesa e një alternative konkrete.
Fermerët shprehen se vonimi i blerjes së mollës dhe konkurenca e prodhimit të importuar po e bëjnë situatën akoma më delikate. Për të shmangur humbjen financiare, disa fermerë kanë arritur në përfundimin se hedhja e mollës në kanale është opsioni më i favorshëm.