Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Sipërmarrjes Delina Ibrahimaj, Ministri i Financave Ervin Mete dhe Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhe u takuan me përfaqësuesit e shoqatës së industrisë me material porositësi (fason) dhe premtuan masa të marrin masa ndërhyrëse për të ndihmuar këtë sektor.
Takimi u zhvillua, teksa përfaqësuesit e sektorit prej muajsh po ankohen se industria me material porositësi e tekstilëve këpucëve, një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, është në një situatë të vështirë, për shkak të rritjes së kostove dhe zhvlerësimit të euros, çka po detyron falimentimin e shumë prej fabrikave.
Shumë prej partnerëve të huaj, kryesisht italianë, po zhvendosin prodhimin në vende me kosto më të ulëta, si Tunizia apo Egjipti.
Sipas njoftimit zyrtar, në takim u diskutua mbi nevojat për transformimin e mëtejshëm të sektorit, në shembullin e kompanive lider në sektor; masat mbështetëse që do të ndërmarrim për kapërcimin e sfidave të zhvillimit; domosdoshmërinë e të kuptuarit nga të gjithë aktorët e sektorit të faktit se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar prej disa kohësh tanimë dhe ky fakt përballet vetëm me investime në teknologji e inovacion, e me paga dinjitoze rrjedhimisht.
Ndërhyrjet e dakordësuara do të stimulojnë pikërisht transformimin dhe investimet në teknologji e inovacion, duke mbështetur me shpejtësi nevojën për likuiditet, nevojën për kreditim të lehtësuar, si edhe për burime njerëzore të kualifikuara:
Rimbursim i shpejtë i TVSH përmes një kanali të dedikuar për kompanitë e kësaj industrie.
Ofrimi i një mekanizmi lehtësues (overdraft) për disponimin e shpejtë të likuiditetit, sipas kontratave me porositësit që kompanitë duhet të fusin në prodhim.
Një garanci sovrane për investime në teknologji dhe inovacion.
Një skemë financimi për ngritjen e një akademie profesionale për manifakturën dhe trajnimet përkatëse në kompani.
Qeveria premtoi se do të rrisë angazhimin e saj për ta mbështetur më tej këtë sektor që të mbyllë vetë ciklet e prodhimit, si dhe të bëhet më produktiv e më konkurrues duke fuqizuar markën “Made in Albania”.
Këto masa ishin premtuar në fakt që në vitin 2021, përmes një pakete mbështetëse për të cilën u diskutua që në atë kohë, por zbatimi i saj nuk u bë funksional ndonjëherë. Përfaqësuesit e sektorit pohojnë se nëse kjo paketë do të ishte zbatuar që në atë kohë, situata e sektorit sot do të ishte më e favorshme.
Burimi: Revista Monitor