Gjergj Kastrioti Skënderbeu, (63 vjeç), luftëtar, diplomat, burrë shteti, Heroi Kombëtar i shqiptarëve.
Për Skënderbeun, vitet deri më 1468, kur vdiq, ishin rënduar me tensione, nga veprimtari e negociata jashtë, dhe beteja papushim brenda vendit.
Në vitin 1463, pas premtimeve nga Papati, Venediku dhe shtete të tjera në Itali dhe Evropën qendrore për organizimin e një kryqëzate kundër Perandorisë Osmane, veçanërisht, pasi fushata ishte shpallur zyrtarisht nga vetë Papa Pius II, Skënderbeu e shkeli traktatin e paqes me sulltan Mehmetin.
Papa papritur vdiq, dhe kryqëzata e premtuar nuk ndodhi, ndërsa trojet shqiptare iu nënshtruan një shkatërrimi sistematik. Por ishte vdekja e Skënderbeut që shqiptarët të braktisin të gjitha shpresat.
Legjenda thotë se, kur sulltan Mehmet II dëgjoi se Skënderbeu vdiq, bërtiti: “Më në fund Evropa dhe Azia janë të mijat. Mjerë Krishtërimi që humbi shpatën dhe mburojën”. Historiani Edward Gibons (1737 – 1794) e ka krahasuar Skënderbeun me “Aleksandrin e madh dhe Pirron, bashkëatdhetar i të cilëve Kastrioti ishte”.
Pas vdekjes së Heroit, shumë prijsa e princa të Arbërisë u shpërngulën në Itali. Një numër i madh banorësh (dhjetra mijëra) emigruan gjithashtu, duke formuar koloni të mëdha arbëreshe në Italinë e jugut dhe Sicili.
Fortesat kryesore si Kruja dhe Shkodra vazhduan rezistencën edhe për disa vite, dhe pastaj ranë. Historianët thonë se të pakët janë udhëheqës të luftrave për çlirim, si Skënderbeu, të cilët kanë gëzuar njohje kaq të gjerë të veprave të tyre në rrjedhën e pesë shekujve.
Një bibliografi botuar më 1881, përmbante 185 vepra historike, filozofike dhe romane mbi Skënderbeun. Ndërsa bbliografia e botuar në Tiranë (1968) me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, përmban mbi një mijë tituj në 21 gjuhë, ndër të cilat edhe në Esperanto.