Kriza mbërthen në darë fasoneritë, 550 persona dalin të papunë në Korçë, viti nis me falimente në të gjithë vendin.
Fabrikat në sektorin fason e kanë nisur vitin me falimente të mëdha. Shoqata Pro-eksport lajmëroi se vetëm në Korçë janë shkurtuar nga puna rreth 550 punonjës dhe një seri aktivitetesh po mbyllen në vazhdim.
Pro-eksport tha se kompania “Extrem shpk’ në Korçë, që kishte 170 punëtorë, po mbyllet.
“Spanjel shpk” po në Korçë kishte 350 punëtorë dhe aktualisht ka vetëm 130.
Kompania “Damson” po në Korçë kishte 70 punëtorë dhe aktualisht ka vetëm 30. Po në Korçë kompania “Panspi shpk” kishte 160 punëtore dhe sot ka vetëm 70.
Sipërmarrësja Valbona Vangjeli mbylli fabrikën në Korçë, teksa të tjerat kanë ulur fuqinë punëtore dhe kanë probleme me pagesat nga porositësit, njoftoi Shoqata Pro-eksport.
Në Bilisht “Toni Oil shpk” që në vitin 2023 kishte 140 persona të punësuar, sot ka vetëm 8.
Shoqata Pro-eksport raportoi se falimentet do të jenë të mëdha këtë muaj. Shumë fabrika kanë mbajtur punonjësit në punë vetëm sa për të mbyllur vitin.
Burimi i postimit: Revista Monitor