Nënkryetari i Rithemelimit, Luçiano Boçi në një dalje për mediat akuzoi kryeministrin Edi Rama se po sulmon vijën e liqenit të Pogradecit, me ndërtime.
Boçi tha se; “Rama, pasi lau duart me jugun, e ndau copa-copa, duke ia dhënë ‘investitorëve strategjikë’, familjarëve të qeveritareve, klientëve të tij, tani i është sulur vijës liqenore të Pogradecit, për ta bërë Pogradecin rastin tipik të dytë, viktimë të kombinimit të korrupsionit ekonomik”.
REAGIMI
Jemi këtu për të denoncuar një tjetër aferë korruptive, rasti i kafshimit dhe rrëmbimit të hapësirës publike për pazare dhe allishverishe të pista.
Për t’ia dhënë atë klientëve të zgjedhur, të cilët shërbejnë pas edhe si arka nga ku dalin një pjesë e parave të pista për të devijuar votën dhe manipuluar proceset zgjedhore.
Rama, pasi lau duart me jugun, kreu punë atje. E ndau copa-copa, duke ia dhënë ‘investitorëve strategjikë’, familjarëve të qeveritareve, klientëve të tij, tani i është sulur vijës liqenore të Pogradecit, për ta bërë Pogradecin rastin tipik të dytë, viktimë të kombinimit të korrupsionit ekonomik me korrupsion politik, duke transferuar pasuritë publike në duart e investitorëve, të cilët në fakt janë ajo pjesa familjare e bashkëpunimit të Ramës në korrupsionin politik dhe ekonomik, për të gllabëruar dhe rrëmbyer pasurinë tonë të përbashkët publike që na takon të gjithëve, sidomos në zona të veçanta, siç është bregdeti apo siç është zona e mbrojtur e liqenit të Pogradecit, duke ua dhënë këto prona njerëzve të targetuar dhe të faktuar si anëtarë të bandave kriminale siç ka ndodhur sot me Velipojën.
Ky është një model që e kemi hasur në Tiranë dhe që fatkeqësisht po aplikohet në qytete të vogla turistike me vlerë shumë të madhe. Një gjë e pandodhur jo vetëm në rajon, por edhe në Europë.
Qytetet e vogla, pranë liqeneve, nuk pranojnë ndërtime të larta në formën e kullave sepse humbasin anën e tyre turistike dhe nuk tërheqin më atë pjesë që ne duam shumë, pjesën e turizmit.
Por Rama e ka parë betonizimin si një model ekonomik suksesi, por në fakt e ka model ekonomik korrupsioni. Edhe kur ka qenë vetë kryetar bashkie ka prodhuar para pafund, tani po e përdor për të prodhuar sërish para për veten e tij dhe klientët e tij, por duke e shtrirë tani në të gjithë Shqipërinë.
Mos harrojmë se jemi në Pogradec, në perlën e Shqipërisë, të dashuruar shumë nga shqiptarët, që ka një mbrojtje të veçantë nga UNESCO. Dhe ky vendim shkel jo vetëm marrëveshjen dypalëshe me Maqedoninë fqinje, por nuk konsideron as vendimet e UNESCO-s për zonat e mbrojtura.
Madje Shqipëria ka marrë edhe kërcënime të hapura, në rastin e zonës së Tushemishtit, për përjashtim nga UNESCO, por kryeministri nuk tutet para përfitimeve dhe korrupsionit ekonomik. Është i gatshëm të përjashtojë Pogradecin nga zonë e mbrojtur vetëm që të realizojë qëllimet e tij korruptive.
Mos harrojmë se zoti Rama ka nisur një hetim për zotin Berisha dhe dhëndrin e tij, zotin Malltezi, pse ky i fundit mori pronën dhe e zhvilloi atë. Ndërsa Rama për të disatën herë rrëmben prona publike, prona private me VKM dhe ua jep klientëve. Kjo është vepër korruptive, kjo është vepër penale.
Pyetja ime është kur SPAK do veprojë ndaj këtij korrupsioni të Edi Ramës?