Prokuroria Themelore në Shkup ka lëshuar urdhër për hetime ndaj tetë personave që dyshohen se kanë rrezikuar sigurinë e komunikacionit ajror në Shkup, kur më 4 janar “kanë penguar shërbimet në aeroport duke rrezikuar sigurinë e komunikacionit ajror”
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 4 janar kur disa persona të paautorizuar kanë hyrë me forcë në hapësirat e institucionit që drejton fluturimin e aeroplanëve nga Aeroporti ndërkombëtar i Maqedonisë së Veriut ku dhe ka pasur përleshje fizike.
Sipas dyshimeve, këta persona kanë rrezikuar trafikun ajror ndërkombëtar kur në hapësirën ajrore të Maqedonisë po zhvilloheshin 28 fluturime.
Media maqedonase njoftoi se është arrestuar Bekim Neziri, ish ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut që aktualisht është kryetar dege i BDI-së në Çair. Ai akuzohet ka lejuar të futen brenda në M- NAV persona nga jashtë, të cilët më pas kanë sulmuar fizikisht të punësuarit në orar pune. Në pranga kanë rënë tre persona tjerë të përfshirë në incidentin e 4 janarit, përcjell klan Macedonia
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta nga të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë drejtori i këtij institucioni shtetëror për kontrollimin e fluturimeve civile, (M-NAV) Fahrudin Hamidi tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet për zbardhjen e plotë të rastit. Hamidi tha se nuk ka komunikuar as dje e as sot me këshilltarin e tij, Bekim Nezirin i cili sulmoi të punësuarit në kullën e radarëve të M-Nav me shtatë persona të tjerë. Ai tha se kreu i sindikatës ka hedhur “benzinë në zjarr” duke bërë presione me grevë dhe bllokim të hapësirës ajrore të vendit, me anulimin e konkursit të fundit për punësim, i cili u bë ogurzi për të shpërthyer grushtet në M-Nav.
