Shqipëri i thonë…Çfarë shoqërie i përkasim?!
Mbaroi një vit dhe tjetri, i riu filloi…
Drita ngado, përzier me urime, birra që shkumbosin nëpër shishe, gota rakie dhe dehje…dehje mashkullore nga alkoli që nuk pushon së zjeri, nëpër kuzhinat tepër luksoze të politikës bajate. E vrau, e preu, krimineli, hajduti, drogaxhiu, injoranti, SPAK-u që kthehet në SKAP, sa herë godet në kampin kundërshtar, janë epitetet e servirura pa kursim për gjithë ata që populli i voton, majtë e të djathtë, të qëndrës e pa qëndër…
E përballë kësaj ELITE janë, fëmijët, rinia dhe gjithë qytetarët, gra e burra “të velur” tashmë nga humbja e shpresës që vetë ata predikojnë me epitetet për njëri tjetrin. “Çfarë të mbjellësh, do korrësh”, është një shprehje e vjetër dhe shoqëria këto “fruta” po shijon… Çuditërisht ne që mbahemi si popull me shumë zakone burrërie, nuk e kemi per gjë të ngremë dorën, të vrasim dhe bullizojmë edhe femrën, bukurinë e jetës…
Shikoni, ç’bën krimi monstruoz…Vëllai vret vëllanë, burri vret gruan herë vetë, herë me pagesë…”çdo njeri” e ka një çmim prapa kurrizit, mjafton që mafia ta “etiketojë” atë!
– E kuptoni ku po shkojmë…? Krimineli dhe trafikanti milioner, të mbrojtur në çdo hap nga politikani i korruptuar, polici bashkëpunëtor, gjyqtari pa “sy e veshë”! Dhe përballë kësaj dhune, për karshi gjithmonë është media që kurrë se kursen kohën për të trumbetuar sukseset e rradhës nga politikanët “e suksesshëm”!
Sot një grua 41 vjeçare e dha fund jetës! E “vetëvrau” shoqëria jonë, llumi dhe bataku ku jetojmë! Mos u çuditni…Shqipëri i thonë! Cila femër e suksesshme nuk ka marrë pas një lumë fyerjesh dhe epitetesh?Keni parë nëpër mediat sociale çfarë epitete ju venë femrave, të njohura dhe të panjohura!? Sa e sa profile fallco që nuk “kursehen” së shpikuri biografira…
Ky është realiteti… katër fëmijë mbetën jetimë! Mëngjesin e 2 janarit, bashkëshorti emigrant e gjeti të shtrirë përtokë në korridor Bedrie Lokën, pasi kishte pirë fotoksinë!
Dhuna ndaj gruas është shkalla më e lartë e degradimit të një shoqërie…
Ç’duhet të bëjmë? Të presim viktimën e rradhës?
Kush ka një përgjigje, le ta thotë…ju lutem, çfarë…?!?
Ilir Jano 5 janar 2024
@NewsIn.Al