Prefekti Nertil Jole: Zhvillova dje në Pustec së bashku me drejtoreshën e përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, znj. Daniel Pirushi dhe Kryetarin e Bashkisë Pustec, z. Pali Kolefski, mbledhjen e radhës të Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, organizuar nga drejtori i AdZM Korçë z. Gjergji Koki, në Qendrën e Informacionit të Parkut Kombëtar të Prespës në Goricë të Vogël.
Ky organ mbikqyr zbatimin e Planeve të Menaxhimit në Zonat e Mbrojtura, duke i kushtuar rëndësi marrjes së masave nga të gjitha institucionet përgjegjëse për hartimin e Planeve të Menaxhimit, të cilat duhet të jenë në përputhje me strategjitë dhe planet vendore, duke synuar nxitjen e zhvillimit ekologjik të zonave, ruajtjen e diversitetit biologjik por dhe reduktimin e presionit mbi burimet natyrore.
Disa nga problematikat e konstatuara janë sigurimi i nevojave të popullsisë për dru zjarri, përmirësimi i rrjetit të energjisë elektrike (ku OSHEE ka planifikuar investime në vitin 2024), disiplinimi i ujrave të zeza, administrimi i mbetjeve urbane, masat për evitimin e rasteve të vatrave të zjarreve në park, respektimi i zonave të përkohshme të peshkimit, etj.
Kërkova nga të gjitha institucionet përgjegjëse marrjen e masave për të garantuar akoma më mirë për sezonin e vitit që vjen, miradministrimin e Parkut Kombëtar të Prespës, si një nga perlat më unikale të natyrës shqiptare.