Burimi: Reporter.al
Arkeologu nënujor, Adrian Anastasi është i kënaqur me ekspeditat e kësaj vere në Buqezë të Pogradecit dhe në afërsi të Drithasit në Korçë – ku të dhënat e zbuluara nga gërmimet mund të ndryshojnë historinë.
Si bashkëdrejtues i projektit “Lin 3”, Anastasi thotë se palafitet e zbuluara pranë Linit datojnë 5800-5700 vjet para lindjes së Krishtit. Ekspedita e kryer për projektin Dunavec ka hedhur gjithashtu dritë mbi të dhëna të rëndësishme arkeologjike.
“Duke vlerësuar tipologjinë e palafiteve të zbuluara, vendbanimi prehistorik “Lin 3” konsiderohet si më i vjetri në Europë, të paktën mes atyre që njihen,” thotë Anastasi.
“Lin 3” është emërtimi i projektit në kuadër të hartës së zbulimeve nënujore arkeologjike dhe vjen pas disa kërkimeve të mëparshme në të njëjtën zonë. Projekti është fryt i një bashkëpunimi mes Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe universiteteve të Bernës, Oksfordit dhe Selanikut.
Rreth 45 kilometra më në jug, pranë Drithasit të Korçës, një grup tjetër arkeologësh të drejtuar nga Dr. Adrian Anastasi, pas një muaji intensiv pune e kanë mbyllur gërmimin e njohur me emrin “Dunavec” – i huazuar nga lumi që kalon aty pranë.
Anastasi gjen disa të përbashkëta mes zbulimeve në Lin dhe në Dunavec dhe i konsideron të dhënat e para si premtuese.
“Ka faza të cilat kronologjikisht përputhen dhe ne po kërkojmë të kuptojmë lidhjen mes tyre, tha ai për BIRN.
Në vendbanimin prehistorik të Linit, arkeologët kanë gjetur një mur pilotash druri dhe palafite që shërbejnë si gardh mbrojtës për territorin. Kjo do të mundësojë njohjen e planimetrisë së vendbanimit dhe të banesave, që në atë kohë ndërtoheshin 5-6 metra brenda rrethimit.
Profesor Albert Hafner nga universiteti i Bernës në Zvicër, njëherazi bashkëdrejtor i projektit, i tha BIRN se bashkëpunimi për projektin “Lin 3” ka nisur që në vitin 2018 dhe kërkimet gjatë periudhës qershor-korrik janë shtrirë në liqen dhe në tokë.
“Siti Lin 3 është një dëshmi shumë e rëndësishme mbi hapat e parë të bujqësisë në Evropë dhe ky është një element kyç që duhet kuptuar,” tha Hafner, i cili ka një përvojë 40-vjeçare kërkimore dhe shkencore në liqenet alpine të Zvicrës.
“Siti nënujor palafitik i liqenit ofron kushte shumë të mira konservimi,” shtoi ai.
Në kërkimet pranë Buqezës së Linit kanë marrë pjesë 38 specialistë, arkeologë, zhytës dhe studentë. Sipas profesor Hafner, mbetjet e zbuluara dhe teknologjia e avancuar u mundëson atyre që të përcaktojnë datime të sakta.
“Teknologjitë që ne aplikojmë krijojnë mundësi për datime shumë të sakta dhe për studime më të ndërlikuara,” shtoi ai.
Dunaveci, një zbulim i rëndësishëm
Në fillim të korrikut, thellësia e gërmimit në Dunavec ishte tetë metra ose tre herë më e madhe se në projektin “Lin 3”. Edhe këtu, grupi i drejtuar nga arkeologu Adrian Anastasi punoi mbi të dhënat e përftuara nga sondazhe dhe kërkime më të hershme të specialistëve shqiptarë të prehistorisë.
Në mesin e viteve ’60, pas zbulimeve arkeologjike pranë Maliqit, një komision specialistësh me prof. Frano Prendi, prof. Zhaneta Andrea dhe Skënder Aliun u njohën me situatën në Dunavec.
Por kërkimet nuk patën rezultate dhe ato u ndërprenë për një periudhë disa-vjeçare.
Profesor Myzafer Korkuti zhvilloi me tej dy fushata të mëdha në vitet 1971 dhe 1973.
Por këtë vit gjithçka është ndryshe. Gërmimi përfshin një territor prej disa qindra metra katrorë, në të cilin bien në sy edhe gjetjet e objekteve të qeramikës.
“Dunaveci është një projekt shumë i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë,” tha profesor Hafner, i cili e vlerësoi punën e kolegut të tij shqiptar.
“Gërmimi i muajit qershor-korrik në Dunavec është një gërmim masiv dhe fantastik,” shtoi ai.
Sipas Hafner, gërmimet e viteve ‘60-‘70 që ishin të kufizuara nga teknologjia e kohës.
“Ne mund të sinkronizojmë me teknologjitë e reja edhe materialet e zbuluara gjatë atyre fushatave,” përfundoi ai.