Në ditën e Krishtlindjeve, një grup në Telegram me emrin Homeland Justice publikoi të dhëna mbi sulme të reja kibernetike ndaj faqes së Kuvendit të Shqipërisë, parlament.al, si dhe një kompanie të telefonisë celulare.
Homeland Justice, një grup hakerash që besohet se kanë origjinë iraniane, sipas rezultateve të raporteve të FBI-së dhe Microsoft, ka kryer një seri sulmesh ndaj rrjeteve dhe shërbimeve online të qeverisë shqiptare gjatë viteve të fundit.
Përmes një postimi të hënën, Homeland Justice tregon se faqja e parlamentit të Shqipërisë ishte jashtë funksionit.
“Ata që zënë karriget e Kuvendit gjithashtu do të paguajnë. Deputetët e korruptuar do të shkatërrohen së shpejti kur të kuptojnë se si demoni I tyre i brendshëm po u tregohet të gjithë atyre që kërkojnë të vërtetën,” ishte mesazhi i postuar.
Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin më 7 shtator 2022 dhe dëboi diplomatët e tij, duke fajësuar Republikën Islamike për një sulm kibernetik në korrik të vitit të kaluar. Sulmet kibernetike ekspozuan problemet me sistemet e sigurisë online dhe ruajtjen e të dhënave personale.
Burimi: Reporter.al