Rruga Pogradec-Tushemisht-Doganë, Loti 2 do të rikonstruktohet plotësisht dhe për këtë tashmë është nënshkruar kontrata me një vlerë 3.48 milionë dollarë. Në këtë vlerë përfshihet edhe Tatimi mbi Vlerën Shtuar.
Autoriteti Kontraktor i kësaj procedure ishte Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili njoftoi më herët edhe mbi nënshkrimin e kontratës me operatorin fitues.
Sipas njoftimit zbatimi do të bëhet nga bashkimi i operatorëve “4 A – M” shpk & “GPG Company” shpk. Punimet e përcaktuara në kontratë sa i takon rikonstruksionit të plotë të rrugës parashikohet të mbyllen brenda 6 muajve. Në gare morën pjesë tetë kompani me oferta të ndryshme.
“Projekti synon rikonstruksionin e plotë të rrugës Pogradec-Tushemisht. Punimet e kërkuara përbëhen nga: ndërtimi i rrugëve, rikonstruksioni i rrugëve, punimet e përmirësimit urban, punimet e rehabilitimit të peizazhit.
Rindërtimi i rrugës do të rrisë vlerën e aseteve përreth, do të lehtësojë aksesin dhe lëvizshmërinë e banorëve të zonës dhe aksesin në kala nga turistët.
Punimet e kërkuara sipas kësaj kontrate konsistojnë kryesisht në: Lëvizja dhe gërmimi i dheut, shtrimi dhe ngjeshja e shtresave të nënshtresës së rrugës, punimet e asfaltit, punimet komunale, betoni dhe armatimi dhe punimet e peizazhit” thuhet në specifikimet e publikuara në faqen e FSHZH.
Rruga Pogradec-Tushemisht-Doganë është pjesë e projektit të Konektivitetit të Rrugëve Rajonale dhe Lokale i cili mbështetet nga Banka Botërore prej disa vitesh tashmë. Ai parashikon ndërhyrje në rritjen potenciale të aktiviteteve bujqësore dhe turistike duke përmirësuar aksesin në zonat e përzgjedhura, si dhe forcim të kapaciteteve të bashkive për menaxhimin e aseteve të tyre rrugore.
Ky projekt ka një fond prej 50 milion USD dhe përbëhet nga tre komponentë kryesorë: Punimet civile dhe iniciativat për sigurinë rrugore; forcimi i kapaciteteve për NjQV-të; menaxhimi gjatë zbatimit.
Këto komponentë sipas shpjegimit të projektit synojnë: përmirësimin e aksesit, nëpërmjet rehabilitimit të rrugëve rajonale dhe lokale brenda gjurmës ekzistuese, përmirësimin e elementëve të qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike në bashkitë e përzgjedhura, rritjen e sigurisë rrugore dhe vendosjen e trotuareve, korsive për biçikleta, gjelbërim etj, forcimin e kapaciteteve të Bashkive për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e aseteve të tyre rrugore, mirëmbajtjen e sistemit të informimit gjeografik (GIS) dhe bazën e të dhënave prioritare për rrugët rajonale dhe lokale./N.Maho
Burimi: Revista Monitor