Kaluan kufirin në mënyrë të paligjshme dhe kontrabanduan nga Greqia, produkte mishi, vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë.
Sekuestrohen 187 kg mish i kontrabanduar, 1 armë gjahu dhe 3 thika që iu gjetën këtyre shtetasve.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve dhe shërbimet e ZMPK të territorit, të DVKM Korçë, goditën një rast të kontrabandës së mallrave dhe një rast të armëmbajtjes pa leje. Për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Silvester Limka, 28 vjeç, banues në Bilisht dhe Shaban Demiraj, banues në fshatin Eçmenik, Devoll.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit J. Sh., 22 vjeç, banues në Bilisht, F. M., 24 vjeç, banues në fshatin Vidohovë, R. A., 32 vjeç dhe A. A., 44 vjeç, banues në fshatin Menkulas, Devoll.
Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të territorit, në afërsi të fshatit Vidohovë, kanë konstatuar këta shtetas, duke kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme me kuaj, me të cilët po transportonin edhe rreth 187 kg mish. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. M. iu gjet një armë gjahu çifte, ndërsa shtetasve S. L. dhe Sh. D. iu gjetën 3 thika, të cilat së bashku me sasinë e mishit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.