Ditën e sotme (18 dhjetor), hyri në fuqi Rregullorja e re e Kuvendit e miratuar në seancën plenare të 14 dhjetorit, sipas së cilës një deputet, ose një grup deputetësh do ta kenë thuajse të pamundur që të bllokojnë zhvillimin normal të punës së Kuvendit apo të komisioneve parlamentare.
Deputetët apo grupi i deputetëve të cilët kryejnë akte dhune dhe vënë në rrezik jetën e parlamentarëve apo ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të Gardës, ndezin mjete piroteknike, apo hedhin tymuese në Kuvend, do të përjashtohen deri në 60 ditë nga seancat parlamentare apo nga komisionet parlamentare.
Në rast se deputeti nuk pranon të dalë nga salla ose përpiqet të hyjë në sallën e seancës plenare/mbledhjes së komisionit, drejtuesi i seancës plenare/komisionit i kërkon Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën marrjen e masës disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.
Ushtrimi i dhunës
Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 30 ditë” jepet në rastet kur deputeti përdor dhunë ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave, të Gardës së Republikës ose punonjësve të medieve.
Përjashtimi është edhe në rastet kur deputeti përmes veprimeve të qëllimshme dëmton pajisjet dhe orenditë ose heq funksionalitetin e tyre logjistik në sallën e seancave/mbledhjes, si dhe në rastet kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara më sipër.
Përjashtimi për 60 ditë
Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 60 ditë” do të jepet në rastet kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojëra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit /brenda mjediseve të Kuvendit, si dhe kur deputeti kryen veprime/sjellje që dyshohet se përmbajnë elemente të veprës penale, të parashikuara në Kodin Penal.
Kërkesa për masë disiplinore
Kërkesa për marrjen e masës disiplinore, paraqitet me shkrim nga jo më pak se 7 deputetë dhe jo më vonë se 48 orë nga dita e konstatimit të ngjarjeve/rasteve. Gjatë periudhës së zbatimit të masës disiplinore deputeti ndalohet të kryejë edhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit.
Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë” do të jepet jepet nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën. Mbledhja e Sekretariatit zhvillohet brenda 48 orëve nga depozitimi i kërkesës.