Në kuadër të festës së Pavaresisë, u vlerësua Kristo Floqi, vëllai i firmëtarit të Pavarësisë, Thanas Floqi.
Korça e nderoi me titullin “Qytetar nderi” Kristo Floqin (pas vdekjes), një personalitet me shumë dimensione; që si anëtar i një familjeje me vlera patriotike, i dha shumë kombit, politikës dhe letërsisë shqiptare, si avokat, gjykatës, nëpunës i lartë, deputet, ministër, botues dhe autor tragjedish e komedish.
Folësit në veprimtarinë e organizuar me këtë rast vlerësuan kontributin e tij të paçmuar në lartësimin e historisë së kombit shqiptar.
Kristo Floqi lindi në Korçë. Mësimet e para i mori në shkollën qytetëse në Korçë, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi, ku familja e tij ishte shpërngulur. U diplomua për drejtësi në Athinë, po aty nisi të ushtrojë profesionin e avokatit më 1899.
Më pas erdhi në Korçë, ku hapi zyrë avokature. Më 1911-1912 drejton gazetën “Dielli” në SHBA. Më 24 dhjetor 1911 drejton mbledhjen për krijimin Komisionit për Bashkimin e organizatave shqiptare në SHBA. Më 28 prill 1912 tishte hemelues dhe anëtar i komisionit qendror të Federatës Vatra. Merr pjesë më 1913 në Kongresin e Triestes, si i dërguar së bashku me Faik Konicën. Më 1921 u emërua ministër Arsimi në qeverinë e Iljaz bej Vrionit.
Në vitet 1925-1926 botoi gazetën “Indipendenca Shqiptare”, kur edhe u rizgjodh si deputet i prefekturës së Korçës gjer më 1928. Më 1929-1944 qe anëtar i Këshillit të Shtetit, ndërsa më 1940 zëvendësisht kryetar i tij dhe drejtor i zyrës ligjore të institucionit. Ai u bë kryetari i gjykatës së parë në Shqipëri.
Floqi ishte një nga autorët më popullorë të letërsisë e veçanërisht dramaturgjisë shqiptare në periudhën 1912-1939.
Kristo Floqi ishte vëllai i Thanas Floqi, një nga nënshkruesit e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe kunati Marigo Posios, gruas e cila qëndisi flamurin që u ngrit në Vlorë.
Ndërroi jetë më 1951.
Kristo Floqi, tërheq vëmendjen për krijimtarinë e tij të pasur e të mirëpritur nga lexuesi dhe spektatori i kohës. Jo vetëm vepra letrare, por dhe jeta e tij, parë në aspektet më të rëndësishme të saj, me kontributin që ai i dha çështjes kombëtare, me siguri do të zgjojë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve.
Koha do të verë në dukje edhe më shumë vlerat dhe meritat e këtij personaliteti, i cili i dha shumë prej kulturës, energjive dhe aftësive të tij historisë dhe letërsisë shqiptare.
Henrik Kaçulini, një nga pasardhësit e Kristo Floqit, mori vlerësimin që iu bë atij nga qyteti i lindjes.