Ditën e sotme në qytetin e Pogradecit është zhvilluar një protestë qytetare, përpara Bashkisë së Pogradecit, në orën 10:30. Kjo protestë simbolike qytetare zhvillohej për dy projektvendime të propozuara në Këshill Bashkiak që planifikonin rritjen e taksës së pastrimit për biznesin nga 25%-100% dhe shtrenjtimin e cmimit të ujit të pijshëm për të gjithë qytetarët. Protesta u mbajt para fillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak Pogradec dhe në të u bashkuan edhe këshilltarë të këtij këshilli. Këshilltari i Këshillit Bashkiak Pogradec Arbër Mele dha arsyetimet pse këto nivele të detyrimeve nuk duhen rritur.
Gjithashtu Kryetari i Shoqatës së Biznesit Lavdërim Miminllari, u shpreh kundër rritjes së taksës për biznesin. Në të njëjtën vijë ishte dhe këshilltari i opozitës Ervin Mancellari, i cili kundërshtoi rritjen e ujit të pijshëm dhe taksave për Pogradecin. Protesta e mbajtur përpara bashkisë dhe e thirrur nëpërmjet rrjeteve sociale nga shoqëria civile, bëri bashkë qytetar dhe përfaqësues të bizneseve.
Në përfundim të protestës i menjëhershëm ishte dhe reagimi i Bashkisë Pogradec, ku pranoi pjesërisht kërkesat e protestuesëve dhe për ketë arsye u tërhoq nga rendi i ditës shtrenjtimi i ujit të pijshëm, gjithashtu në projekt vendimin e propozuar përgjysmoi nivelet e rritjes së taksave të propozuara më herët nga ky institucion. Informacionet u bënë të ditura nga drejtoresha e Taksave dhe Tatimeve Enjela Karafili.
Protesta e kësaj të premte erdhi si rezultat i reagimit qytetar kundër rritjes së taksave. Megjithëse një protestë simbolike, në pjesëmarrje, ajo ja arriti qellimit për të vënë përpara presionit pushtetin vendor.
Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak Pogradec, nuk miratua sot asnje vendim per rritjen e taksave dhe rritjen e cmimi të ujit. Pas daljes nga rendi i ditës për propozimin për rritjen e cmimit të ujit të pijshëm, Këshilli Bashkiak Pogradec nuk çoi për votim as projektvendimin për rritjen e taksës së pastrimit për biznes. Edhe pse pas protestës së zhvilluar ditën e sotme para bashkisë, ky institucion uli nivelet e rritjes së propozuar me disa herë, por përsëri nga këshilli u pa e nevojshme një rianalizim i situatës përsa i përket rritjes së taksave vendore për biznesin.A.B.Pogradecipress.al