Korça, apo njohur ndryshe si “Parisi i Vogël” duket se edhe këtë vit do të ndriçohet nga atmosfera e fundvitit. Për këtë ka menduar vetë kryekorçari, Sotiraq Filo, i cili gjeti një tjetër rast për të kënaqur orekset e miqve të tij në tendera.
Filo ka shpenzuar plot 5 667 000 lekë të reja ose 96% të fondit limit për blerjen e shiritave dekorues me drita.
Tenderi është hapur me datë 30 tetor të këtij viti dhe kanë marrë pjesë 2 kompani. Fitues është shpallur me datë 9 nëntor të këtij viti shoqëria “Selvije Abasllari”, teksa kompania “Alb-Korrekt sh.p.k” është përjashtuar nga gara për mospërmbushje kriteresh.
Open Data Albania, e ka shënuar me flamur të kuq këtë tender për “Skualifikim i te gjithe operatoreve konkurrues përvec fituesit”. Në vend që një pjesë e këtyre parave të kurseheshin për të strehuar qytetarët që flenë rrugëve, për të ndihmuar me dru apo kushte ngrohëse familjet e varfëra me dimrin që po afron, Filo ka vendosur të lirojë thesin e taksave të mbledhura nga qytetarët e ndershëm të Korçës.
I sigurtë se do të jetë në krye të Bashkisë edhe për 4 vite, Sotiraq Filo vijon avazin e vjetër të dhënies së tenderave pa garë. Fundja nuk është i vetmi, pasi i njëjtë model ndiqet edhe nga bashkitë e tjera të vendi, e madje vetë qeveria.
Burimi: Tvanews.com