Pas zbardhjes të rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak Pogradec që do të mbahet më datën 24.11.2023, ku pikat kryesore janë rritja e taksave dhe rritja e çmimit të ujit, kanë ardhur dhe reagimet e para. Në rrjete sociale është njoftuar protestë që do të mbahet përpara Bashkisë Pogradec, ditën e premte në orën 10:30. Por reagimet janë bërë publike dhe nga përfaqësuesit e partive politike dhe këshilltarët e Këshillit Bashkiak Pogradec. Arbër Male dhe Gentian Çala, janë shprehur publikisht kundër kësaj rritje. Ndërkaq këshilltarët e Partisë Demokratike pritet të dalin kundër këtij vendimi, por nga burime të Pogradecipress.al konfirmohet se nuk do të mungojnë as këshilltarët e majtë të cilët do të votojnë kundër kësaj rritje drastike të taksave dhe çmimit të ujit.
Çala në postimin e tij u shpreh se opozita do të jetë kundër këtyre vendimeve dhe shton se duhet mbështetje në çdo formë nga qytetarët, për të kundërshtuar me çdo mjet këtë vendimarrje. Në postimin e plotë, ai shkruan:
Bashkia Pogradec ka propozuar rritjen e taksave vendore dhe të çmimit të ujit të pijshëm duke rënduar sërisht ekonominë familjare në Bashkinë e Pogradecit. Janë dy projekt-vendime në mbledhjen e rradhës të Këshillit Bashkiak të Pogradecit të cilat synojnë që të mbushin arkën e bashkisë, e cila jo vetëm që nuk i mirëmenaxhon të hyrat, por një pjesë të mirë të tyre e ka për shpenzimet e pagave të një administrate të tejfryrë me militantët e saj.
Opozita në Këshillin Bashkiak do ta kundërshtojë këtë vendim në mbrojtje të interesave të qyretarëve, por unë do ti bëja një thirrje edhe këshilltarëve të shumicës së majtë që të mos e ngrenë kartonin verbërisht duke votuar vendime që cënojnë votuesit e tyre. Kërkoni transparencë për punën e bashkisë, për administratën dhe shpërndarjen e fondeve, kërkoni arsyetime të bazuara apo studime mbi të cilat mbështetet çdo rritje taksash apo çmimesh dhe vetëm atëhere votoni.
Ne si opozitë nuk i kemi numrat për ta rrëzuar vendimin tuaj, ndaj duhet reagimi i çdo qytetari të ndërgjegjshëm, pavarësisht prej bindjeve politike që të reagojë. Faturat nuk i kemi me ngjyra dhe në fund të ditës do të na duhet ti paguajmë të gjithë. Populli nuk mund të paguajë nga xhepat e tij paaftësinë dhe keqmenaxhimin e parave publike.