Kohë të mundimshme nëpër udhët e Mokrës, atje ku rrugët vetm rrugë nuk mund të quhen.
Nga Maliq Torra
Dhe ta mendosh se kjo është “aorta” kryesore si rrugë që i bie përmes zonës së Mokrës së Poshtme që nga Ura e Selcës dhe deri lart në fshatrat e braktisur të Jollës , Zgallës e Shpellës duke lënë pas Vërri , Laktesh , Slabinjë , Losnik , Velçan e Buzaishtë.
Seepse Senishti si fshat nën juridiksionin e qëndrës administrative Velçan është fshirë fare nga frymarrja e egzistencës.
Por në Mokrën e Epërme rrugët janë edhe më skandaloze e për këtë që them populli ka shprehjen “fshati që duket nuk do kallauz !”
Flasim si “aortën” kryesore rrugore, sepse për “kapilarët” brenda fshatrave nuk bëhet fjalë fare se egzistojnë të tillë.
Kjo ka bërë që Mokra këto gati dhjetë a më tepër vite të njohë një braktisje të frikshme prej banorëve të saj autoktonë të lindur e të gjendur që nga fillimi i dritës mbi tokë , por më ogurzeza qëndron në faktin se këtë dhjetëvjeçarin e fundit në Mokër nuk është bërë asnjë dasmë e kjo është e frikshme shumë.
Kur dikush ( kjo është e rrallë ) lidh martesë , cermoninë e dasmës e bën poshtë , në Pogradec a në Përrenjës , sepse kush është ai dasmor që ngjitet asaj rruge skëterrë.
Po më e keqja qëndron kur ka probleme shëndetësore ndonjë banor i Bishnicës , i Buzaishtës apo edhe i Velçanit!
Për një shërbim stomatologjik a për një dhimbje të çfardollojshme në kohë dite a më keq nate , ku ta përplasi kokën ?!
Kjo ka bërë që braktisja e Mokrës të ketë përmasa biblike.
Ikin dhe vetëm ikin banorët autoktonë të Mokrës !
Vetëm këtë muajin e fundit ikën tri familje nga qëndra administrative e Velçanit duke rrezikuar edhe mbijetesën e shkollave, sepse ka rënë numëri i nxënësve.
Sfilitëse , torturuese është kjo rrugë – greminë sidomos për mësuesit që çdo ditë të javës ngrihen në orën 5 të mëngjesit ( pa thirrur hoxha me altoporlant ) duke bërë gati tri orë vajtje në Velçan e Bishnicë e po kaq orë në kthim.
Janë rrugë që nuk quhen rrugë , janë kohë të mundimshme nëpër këto vise të Mokrës që i vuajnë shoferët , mësuesit , banorët e për pasojë është vetë Mokra si e gjithë Shqipëria ( por më e theksuar është Mokra ) që po braktiset , po rrënohet dita – ditës pa parë një fije drite në tunelin e harresës nga pushtei qëndror e ai lokal !
Mokra rënkon , Mokra është në agoni të plotë !